Koalicioni fitues pret t’i bashkohen edhe subjekte tjera shqiptare për formimin e Qeverisë

Koalicioni PDK-AAK-Nisma si fitues i zgjedhjeve pret t’i bashkohen edhe subjekte tjera shqiptare për formimin e Qeverisë së re.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë për lajmi.net se Qeveria e re do të formohet shumë shpejt dhe se koalicioni qeverisës do të ketë shumicën shqiptare.

“Qeveria e re do të formohet shpejt dhe do të ketë shumicën shqiptare, në mënyrë që të merr vendime të cilat janë të rëndësishme për Kosovën, sepse ka të bëjë me një periudhë kur Kosova duhet të tregoj vitalitetin dhe fuqinë e vet shtetërore”, është shprehur Isufi.

Ndërsa i pyetur se a pret që koalicionit PDK-AAK-Nisma t’i bashkohen edhe parti tjera shqiptare që kanë arritur të sigurojnë deputetët për legjislaturën e re, Isufi ka thënë se presin që pas certifikimit të rezultateve nga KQZ do të fillojnë negociatat për formimin e Qeverisë.

“Do të zhvillohen negociata sapo të certifikohen rezultatet dhe jemi të bindur që shumë shpejt do t’ përgjigjen partitë politike të cilat mund të jenë pjesë e Qeverisë së re dhe të cilat do të kenë pjesëmarrje solide në këtë përbërje të ekzekutivit për ta shtyrë Kosovën përpara, duke e pasur parasysh që në postin e kryeministrit do të jetë Ramush Haradinaj, i cili është i shquar për punë dinamike për zhvillimin e Kosovës”, ka shtuar Isufi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne