“Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të kundër Iranit ‘do të dështojë'”

Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të kundër Iranit nuk do të ketë sukses, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi, raporton Anadolu Agency.

“Edhe nëse Washingtoni vjen në rajon (Lindjen e Mesme) çdo ditë, ai do të dështojë”, tha Mousavi në prononcim për mediat.

Ai gjithashtu tha se deklaratat “kontradiktore” të Washingtonit “reflektojnë se sa kaotike është administrata amerikane”.

Të dielën, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, tha se do të shkojë në Lindjen e Mesme për të takuar aleatët e rajonit për të formuar “koalicion global” kundër Iranit.

Vizita e tij vjen vetëm disa ditë pasi SHBA dhe Irani arritën në prag të luftës pasi javën e kaluar Irani rrëzoi një mjet ajror zbulues amerikan në Ngushticën e Hormuzit.

Në ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump në minutat e fundit ndërroi mendjen për të sulmuar Iranin për shkak se nuk do të ishte reagim “proporcional”.

Tensionet midis Iranit dhe SHBA-ve kanë qenë në rritje që nga maji i vitit të kaluar, pas tërheqjes së njëanshme amerikane nga marrëveshja ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit, të nënshkruar në vitin 2015 mes Teheranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plus Gjermania dhe BE-ja.

Që atëherë, SHBA-të nisën një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit për ta detyruar atë të rinegociojë marrëveshjen.

Një pjesë e fushatës së SHBA-ve ka përfshirë rivendosjen e sanksioneve mbi eksportet e naftës iraniane, e cila ka dërguar ekonominë iraniane në një ulje kulmore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne