Kodet bërthamore në duart e Trump, rrezik i lartë

Kodet bërthamore në duart e Donald Trumpit janë diçka e frikshme! Kështu deklaroi ish-shefi i zbulimit amerikan, James Clapper, duke e cilësuar si trazuese fjalën që mbajti Trump në një tubim në Arizona.

Clapper, drejtor i Inteligjencës Kombëtare për 7 vite gjatë mandateve të Barack Obamës, vuri në pikëpyetje aftësinë e presidentit amerikan për të mbajtur postin që ka, pas performancës demagogjike në Phoenix dhe shprehu shqetësim për fuqinë e Trump për të lëshuar armët bërthamore pa u konsultuar me Kongresin apo zyrtarë të tjerë. “Pasi një president të ketë verifikuar identitetin e tij, me një kod që mbahet gjithnjë prej tij ose nga një person afër tij, zinxhiri ushtarak i Komandës nuk ka më fuqi të bllokojë urdhrat e tij të lançimit. Duke pasur njohuri për levat që një president ka në dorë, unë shqetësohem mbi të gjitha për qasjen te kodet bërthamore”, tha Clapper për CNN, duke u ndalur kështu te mosmarrëveshja me Korenë e Veriut. “Nëse në një moment ai vendos të bëjë diçka për Kim Jong-un, ka shumë pak mundësi për ta ndaluar atë. I gjithë sistemi është i ndërtuar për të garantuar një reagim të shpejtë nëse do të jetë e nevojshme. Pra, ka shumë pak që mund të bëjmë për të penguar një opsion bërthamor, gjë kjo vërtet e frikshme”. Clapper përmendi Richard Nixonin që ishte i përfshirë në një mosmarrëveshje me Korenë e Veriut në vitin 1969, pasi regjimi rrëzoi një avion spiun amerikan. Nixon raportohet se ishte dehur dhe kishte urdhëruar një goditje taktike bërthamore, që u evitua vetëm nga këshilltari i tij për Sigurinë, Henry Kissinger./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne