Shqiperia

‘Koha Jonë’, Ramës: Kërko ndjesë ose në Janar ‘DVD’ me Eleonorën e shtëpisë tënde

Deklarata e sotme të kryeministrit Edi Rama se ‘Monika Kryemadhi i kujton Eleonorën’, ka sjellë një reagim të madh në radhët e LSI-së. Por është gazeta Koha Jonë që ka bërë një kërcënim të madh për Ramën.

Në një artikull të mesditës ‘KJ’, shkruan se Edi Rama duhet të kërkojë falje ose për ndryshe do të dalin filmime me ‘Eleonorën e shtëpisë’.

Ja çfarë shkruan Koha Jonë:

Edi Rama ishte në konferencë shtypi para gazetarëve, ku u pyet rreth shumë ngjarjeve dhe problemeve të vitit. Por dukej se kryeministri gjithë inatin e kishte me Monika Kryemadhin, duke harruar disi “djalin e urtë”, Lulzim Basha.

Në lidhje me Kryemadhin, kryeministri bëri një gjest të ulët duke fyer në mënyrë të tejskajshme. Edi Rama tha se Monika Kryemadhi i ngjan më shumë me “Eleonorën e Selitës”. Një fyerje publike e rëndë, bile shumë e rëndë, por që do hapi rrugën e keqe te “elonorave” në PS dhe në familje.

Në të vërtetë nuk ishte menduar se kryeministri mund të arrinte deri në fyerje të kundërshtarëve politikë, aq më shumë, gruas së Kryetarit të Shtetit. Me këtë mënyrë Edi Rama ka ofruar varrin e vet politik dhe ka hapur udhën që pala tjetër të merret me familjen e tij, gjë për të cilën ka patur një mirëkuptim në politikë, ku me gratë e njeri tjetrit nuk ishte morale të përfliteshin.

Edi Rama bëri një veprim të ulët, pasi ai është kryeministër dhe duhej të kontrollonte veten, aq me tepër live në publik. Mund ta gëlltiste, ndonëse edhe gëlltitja ia turbullon mendjen, por duhej me çdo kusht të mbante frenat në gojë, sepse ajo që lëshoi për një grua, një deputete, një nënë, aq me tepër për atë që edhe i ka gatuar dikur me Metën, është e ndyrë. Edi Rama ka edhe një mundësi, të kërkojë falje shpejt, pasi çdo na dëgjojnë veshët dhe shikojmë me dokumenta, dvd, foto etj, do jetë masakër gjatë vitit të ardhshëm.

Nuk ka vonuar dhe është përgjigjur Monika Kryemadhi. Bile, mësohet se ky postim është vetëm si “aperitiv”, sepse do ketë hapje letrash për familjen kryeministrore.

Udha u hap! E hapi vetë Kryeministri.

Image

Postimi i plotë i Monika Kryemadhit:

 “Krahasimet dhe batutat pa kripë të kryeministrit, vetëm se dëshmojnë edhe njëherë, pafuqinë e tij për t’u përballur me katastrofën drejt së cilës po e çon Shqipërinë.

Eleonora që ai përmend (ndjesë pastë) ndoshta i kujton lexueset e filxhanëve, që i mbante dikur në bashki e sot në zyrat e kryeministrisë.

Siç duket as detox-i dhe as botox-i i Neë Yorkut nuk e kanë ndihmuar të kthjellojë logjikën dhe arsyen, për të kuptuar se e keqja e madhe e Shqipërisë është ai dhe bandat që e drejtojnë.

Edi Ramën nuk e shpëtojnë dot as fallxhoret dhe as banditët, as servilët dhe as kllounët nga fatkeqësia e tij më e madhe, papërgjegjshmëria dhe kriminalizimi i mendjes së tij perverse.

As Eleonora e tij nuk e shpëton dot, edhe pse u përpoq shumë që të mos duket Lolo!

Janari e më tej do të jenë vazhdimi i makthit të tij dhe nisja e procesit të çlirimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga qeveria e banditëve dhe drogës”.

 

OPINIONE