“Kohët e vështira kanë mbërritur”/ Pandemia zhyt ekonominë britanike në recesion të thellë, bie me 20.4%

Ekonomia në Mbretërinë e Bashkuar ka pësuar një tkurrje prej 20.4%, duke rënë zyrtarisht në recesion, për herë të parë pas 11 vitesh.

Izolimi si pasojë e Covid-19, gjatë muajve prill dhe qershor, e ka shtyrë vendin drejt recesionit, duke sjellë rënien më të madhe që prej vitit 1955. Industritë më të prekura nga izolimi i imponuar prej qeverisë, janë shërbimet, prodhimi dhe ndërtimi, të cilat patën rënie rekord.

Shifrat e sotme konfirmojnë se kohët e vështira kanë mbërritur….Qindra mijëra persona kanë humbur punën dhe fatkeqësisht, shumë të tjerë do të shtohen në muajt në vijim. Edhe pse duhet të bëjmë zgjedhje të vështira, ne do tja dalim“, u shpreh ministri i Financave, Rishi Sunak.

Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, ky kolaps në prodhim ka ardhur si pasojë e mbylljes së dyqaneve, hoteleve, restoranteve, shkollave. Mbyllja e fabrikave solli prodhimin më të ulët të makinave, që prej vitit 1954.

Me gjithë shifrat e zymta, duket se ekonomia pati një përmirësim në qershor, me një rritje 8.7% të GDP-së, e cila reflekton fundin e izolimit dhe lehtësimin e masave të vendosura kundër Covid-19.

Ditën e djeshme, pas publikimit të shifrave të papunësisë, Boris Johnson u shpreh se muajt në vijim do të jenë me ulje ngritje.

“Qartazi do të kemi ulje ngritje në muajt në vijim dhe një rrugë të gjatë, të gjatë, përpara”, tha kryeministri.

Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, prej muajit prill deri në qershor, numri i personave të punësuar në Mbretërinë e Bashkuar, ra me 220,000, rënia më e madhe që prej qershorit të 2009, në kohën e krizës së thellë financiare./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne