Kolonët hebrenj sulmojnë palestinezët në Bregun Perëndimor

Kolonët hebrenj sulmuan palestinezët që po kalonin në rrugë pranë qytetit të Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Gassan Daglas, zyrtar përgjegjës për vendbanimet kolone hebreje pranë Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), tha për AA se një grup kolonësh hebrenj sulmuan me gurë dhe shkopinj palestinezët që po kalonin në rrugë midis qytetit të Nablusit në veri të Bregut Perëndimor dhe qytetit të Al-Huwara.

Ai deklaroi se shumë automjete u dëmtuan gjatë sulmit, por se nuk kishte të lënduar.

Daglas dënoi sulmin, duke theksuar se për shkak të sulmeve nga kolonët hebrenj, palestinezët në Bregun Perëndimor nuk janë më të sigurt as në shtëpi dhe as në rrugë.

Ndryshe, ekzistojnë më shumë se 250 vendbanime të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e pushtoi në vitin 1967. Më shumë se 400.000 kolonë hebrenj që banojnë në këto vendbanime e bëjnë jetën edhe më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën okupim në Bregun Perëndimor.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebreje të vendosura në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne