Shqiperia

Komediani i njohur britanik në zbulim të Shqipërisë: Nuk prisja këtë që gjeta!

Komediani i famshëm i BBC, Romesh Ranganathan, ishte sot i ftuari special në emisionin ‘Rreze Dielli’, ku rrëfeu përshtypjet e tij për Shqipërinë ‘gri’, siç e quante ai, dhe momentet e veçanta me shqiptarët, që e kanë bërë të ndryshojë mendim.

Komediani Ranganathan vjen në vendin tonë për të realizuar një dokumentar për Shqipërinë, të cilën ai tregoi në ‘Rreze Dielli’ se e mendonte si një vend ish-komunist, të varfër dhe depresiv, por që njerëzit këtu rezulton të jenë edhe më të kujdesshëm se britanikët, sidomos kur i pyet në rrugë.

Këtu ai tregoi një moment mjaft interesant me një grua, gjesti i së cilës e kishte lënë pa fjalë. Romesh e kishte pyetur gruan se ku ndodhej ‘Piramida’ dhe ajo duke mos e kuptuar e kishte lidhur me një person në telefon për ta sqaruar dhe më pas e kishte shoqëruar deri te vendi.

Intervista:

Gazetarja: Pra, cila është arsyeja që ndodhesh këtu?

Romesh: Arsyeja pse jam këtu është se dua të zbuloj pse britanikët nuk vijnë në Shqipëri për pushime, sepse të them të vërtetën, unë nuk njoh ndokënd që ka ardhur këtu me pushime.

Me të vërtetë?

Po dhe Shqipëria nuk është pra një vend tipik që vizitohet nga britanikët. Ndaj kam ardhur që të zbuloj nëse kjo gjë është e justifikuar apo Shqipëria në fakt është një vend që njerëzit duhet ta vizitojnë.

Sa do të qëndrosh këtu?

Rreth një javë.

Vë bast që mund ta ndryshoj mendjen tënde në një javë. Ky vend ia vlen që të vish ta shohësh e ta vizitosh. Më beso.

Që ta dini, nuk jam njeri që impresionohem lehtë. Kam përjetuar momente të vështira në jetë dhe nuk gëzohem kollaj. Pra do të jetë e vështirë që Shqipëria të më bindë, por jam mendje hapur. Zakonisht britanikët zgjedhin të shkojnë në Portugali apo Spanjë, që janë destinacione tipike për pushime.

Ose mbase në Greqi, por kjo ndodh sepse britanikët nuk i kanë parë ende plazhet tona. Është më bukur se në Greqi, më beso. Ne kemi ende plazhe të virgjëra që janë të mrekullueshme

Jo realisht, më duhet të jem tërësisht i sinqertë. Paragjykimi im për Shqipërinë ishte që ky është një vend ish komunist dhe duke e lidhur me këtë, e mendoja si një vend gri, ku nuk ke shumë gjëra për të parë dhe mbase të dëshpëruar.

Pra e mendoje të shëmtuar.

E di, por është hamendësim dhe besoj jam i gabuar, por nëse më pyet se cili ishte imazhi që më vinte ndërmend kur përmendet Shqipëria, ishte pikërisht ky i një vendi gri, depresiv, po, njerëz të varfër. Pra këto gjëra kisha në mendjen time. Por jam shumë i hapur që ta ndryshoj këtë mendim. Dhe më duhet të jem i sinqertë, edhe sot, megjithëse kam vetëm pak orë dhe shkova të shihja Piramidën, një strukturë interesante.

Diçka që të gjithë e shohin apo duan ta shohin.

Por ndërsa shkoja, humba rrugën dhe vura re diçka. Këdo që pyesja ishte shumë i sjellshëm. Megjithëse që të jem i ndershëm, kur i afrohesha, në fillim ata mendonin se mos do t’i grabisja. Por kur e kuptonin që po i pyesja se ku ndodhet Piramida, njerëzit ishin shumë më të gjendur se sa në Britaninë e Madhe dhe shumë miqësorë. Madje një grua nuk kuptonte se çfarë po thoja, ndaj ajo mori dikë tjetër duke i thënë: a mund t’i flasësh pak këtij djalit dhe më pas më shoqëroi deri te Piramida. Ishte e jashtëzakonshme. Në Britaninë e Madhe, kjo nuk do të ndodhte.

Image

Komediani britanik Romesh Ranganathan gatuan në Emisionin e gatimit në Report TV

Pas intervistës në studion e Rreze Dielli, komediani britanik Romesh Ranganathan iu bashkua kuzhinës së Zonjës Tefta. Meqënëse ai ishte vegan, pra nuk konsumonte ushqime shtazore, Zonja Tefta kishte përgatitur disa gatime enkas për të.

Në fillim Zonja Tefta përgatiti një burani me spinaq, e cila zakonisht gatuhet me vezë, por ,meqenëse Ranganathan ishte vegan ajo e përshtati recetën duke e gatuar pa vezë. Pas buranisë Zonja Tefta së bashku me komedianin gatuan oriz me shafran dhe perime. Në fund e përfunduan me një sallatë me ulli, portokall dhe finok. Vetë aktori, i pëlqeu shumë recetat e gatuara dhe tha se ishte kënaqësi të gatuaje me zonjën Tefta.

Image

Profil/ Ja kush është komediani britanik

Romesh Ranganathan është një aktor dhe komedian britanik i cili ka marrë shumë çmime në vendin e tij. Pjesëmarrës në shumë programe televizive të lidhura me humorin dhe padyshim në shumë shfaqje Stand up comedy. Ai është një ndër personazhet britanike më të famshme sot për sot dhe tashmë prej vitesh realizon një program të tij në rrjetin BBC. Në vitin 2015 ai prezantoi një seri dokumentaresh në BBC 3, për të cilin udhëtoi në Sri Lanka për të eksploruar vendin e tij të origjinës. Në vitin 2016 ai filloi sezonin e dytë në Amerikë duke vizituar të afërmit e tij atje.

Tashmë ao ka nisur një tjetër tur për të eksploruar vende të panjohura dhe duke dhënë impresionet e tij. Përpara se të niste karrierën si komedian Ranganathan ka qenë një rreper free-style nën emrin Ranga, madje një herë arrit deri në konkursin britanik për rreperët. Për tu theksuar është se ai ka studiuar për matematikë në Universitetin e Londrës dhe e ka ushtruar profesionin si mësues matematike. Ranganathan është vegan, pra nuk konsumon asnjë produkt shtazor dhe është rritur nën kulturën hindu.

OPINIONE

INTERVISTA