Koment – Marrëdhëniet politike Turqi-Greqi

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Siç është deklaruar, Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Greqi më datat 7-8 dhjetor 2017. Zëvendëskryeministri Hakan Çavushollu (Hakan Çavuşoğlu) në një deklaratë që bëri javën e kaluar tha se Presidenti Erdoan do të jetë presidenti i parë turk që do të vizitojë Greqinë pas 65 vjetësh. Në kuadër të vizitës, pritet që të nënshkruhen edhe marrëveshje të rëndësishme, të cilat do të kenë efekte pozitive në marrëdhëniet politike midis Turqisë dhe Greqisë.

Në histori marrëdhëniet turko-greke kanë ndjekur një kurs të luhatshëm. Ka pasur madje edhe periudha kur të dyja vendet i janë afruar pragut të luftës. Prandaj, problemet midis Turqisë dhe Greqisë zënë një vend të rëndësishëm në politikat e jashtme dhe të mbrojtjes të të dy vendeve. Problemi i Qipros nga viti 1955 e deri në ditët e sotme është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet turko-greke. Nga ana tjetër, edhe çështja e Egjeut është një nga çështjet kryesore që u shkakton kokëçarje të dyja vendeve. Siç dihet, problemi i Egjeut përbëhet nga katër probleme të ndryshme, që janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin. Këto katër probleme janë: 1) përcaktimi i kufijve detar dhe platformës kontinentale, 2) gjerësia e ujërave territoriale, 3) kontrolli i hapësirës ajrore dhe 4) armatosja e ishujve që ka Greqia në Egje.

Në të kaluarën janë ndërmarrë shumë nisma me synimin për të afruar Turqinë dhe Greqinë. Por paragjykimet ekzistuese midis dy vendeve kanë reflektuar gjithmonë negativisht në këto përpjekje për afrim. Para së gjithash, për një kohë të gjatë në Greqi ekziston një “Sindromë Qipriote” dhe ka pasur shqetësime se një operacion paqësor, i ngjashëm me atë që Turqia organizoi në vitin 1974 në Qipro, mund të përsëritej edhe për turqit që jetojnë në Trakinë Perëndimore. Ndërkohë që Turqia kurrë nuk ka ndjekur një politikë luftarake dhe ekspansioniste. Nga ana tjetër, shumica e akademikëve dhe politikanëve grekë injorojnë të drejtat dhe interesat e Turqisë në Egje, pasi Detin Egje e shikojnë të gjithin si një det grek. Për shkak të kërkesave të Ankarasë në lidhje me Detin Egje, disa qarqe në Greqi shpesh e akuzojnë Turqinë se po ndjek një politikë zgjerimi drejt Perëndimit. Edhe zhvillimet në kuadër të çështjes së Qipros kontribuojnë gjithashtu në mbajtjen të freskëta të paragjykimeve antiturke në opinionin publik grek.

Për shkak të perceptimit të Turqisë si kërcënim, Greqia ka bërë për vite të tëra shpenzime të konsiderueshme në fushën ushtarake. Në vitet e fundit, kuptohet që shpenzimet ushtarake të Greqisë janë zvogëluar për shkak të krizës ekonomike. Në vitin 2016, shuma që Greqia kishte ndarë për shpenzimet ushtarake ka qenë sa 2,6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit. Në vendet anëtare të BE-së ky raport (i shpenzimeve për mbrojtjen ndaj PBB-së) mesatarisht është 1,5%, kurse në Turqi është 1,7%.

Edhe në Turqi ka paragjykime ndaj Greqisë, edhe pse në një dozë më të ulët. Aq sa besohet se Greqia, e cila pas tërmetit të madh të vitit 199 në Turqi u shfaq me slogane miqësie dhe filloi të theksonte se e mbështet anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian (BE), nuk është shumë e sinqertë në lidhje me këtë çështje. Në opinionin publik turk është mjaft e përhapur bindja se Greqia po përpiqet të zgjidhë problemet e Qipros dhe Egjeut sipas interesave të veta duke përdorur si instrument për këtë Bashkimin Evropian.

Me qëllim për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Greqisë, Kryeministri i asaj kohe, Rexhep Tajip Erdoan realizoi në vitin 2010 një vizitë historike në Greqi i shoqëruar nga dhjetë ministra dhe dhjetëra biznesmenë. Pas kësaj vizite, ndërmjet Ankarasë dhe Athinës në rend të ditës nisën të zënë vend retorika më miqësore. Këshilli i Bashkëpunimit i Nivelit të lartë Turqi-Greqi filloi t’u ofrojë të dyja vendeve një platformë të rëndësishme të dialogut politik. Deri më sot Këshilli është mbledhur katër herë nën drejtimin e Kryeministrave të të dy vendeve dhe me koordinimin e Ministrave të Jashtëm dhe janë nënshkruar gjithsej 54 dokumente. Në sesionet e këtij Këshilli fillimisht është synuar arritja e konsensusit në çështjet që kanë të bëjnë me lehtësimin e jetesës së përditshme, ndërsa më vonë si synim Këshilli ka pasur adresimin e çështjeve të vështira në marrëdhëniet dypalëshe.

Megjithatë, kriza ekonomike që tronditi Greqinë dhe destabiliteti dhe konfliktet në gjeografinë përreth Turqisë ashtu siç kanë krijuar angazhime të ndryshme për Ankaranë dhe Athinën, kanë ndryshuar gjithashtu edhe prioritetet e tyre. Për këtë arsye, procesi i ri i nisur në vitin 2010 me përpjekjet e të dyja vendeve nuk arriti të jetë dinamik në nivelin e dëshiruar. Përkundër çdo gjëje, Turqia dhe Greqia vazhduan të ndërmarrin hapa të bazuara në respektin reciprok. Me synimin për të freskuar besimit reciprok u realizuan edhe shumë vizita të nivelit të lartë. Midis tyre, ajo më simbolikja për nga rëndësia, ka qenë pjesëmarrja e Presidentit grek Prokopis Pavlopulos në Samitin Kryetarëve të Shteteve e Qeverive të Vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC), që u mbajt në Stamboll më 22 maj 2017 nën kujdesin e veçantë të Presidentit Rexhep Tajip Erdoan.

Presidenti Erdogan më datë 7-8 dhjetor do të shkojë në Greqi me qëllim që ti japë një shtysë periudhës së re të filluar në vitin 2010 në marrëdhëniet ndërmjet Ankarasë dhe Athinës. Kjo është vizita e parë e këtij niveli që realizohet nga Turqia në Greqi, pas vizitës që Presidenti i kohës, Xhelal Bajar (Celal Bayar) ka bërë në Greqi në vitin 1952. Për këtë arsye vizita e Presidentit Erdoan në Greqi përveç madhësisë simbolike që ka, pritet që ti afrojë edhe më shumë Ankaranë dhe Athinën për të bërë punë të bazuara në projekte konkrete./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne