Koment – Politika e Turqisë në Ballkan që nga viti 2000 e deri më sot

Nga Dr. Erhan Turbedar

Turqia dhe Ballkani lidhen me njëra tjetrën me shumë pika të përbashkëta. Turqia është gjithmonë një mike e madhe për Ballkanin dhe përveç Greqisë zotëron marrëdhënie pothuajse pa probleme me vendet e rajonit. Marrëdhëniet politike ndërmjet gjysmës së vendeve të Ballkanit dhe Turqisë zhvillohen mbi themele të fuqishme. Ndërsa me vendet e tjera ka një vullnet politik për të çuar edhe më lart marrëdhëniet ndërmjet tyre. Sigurisht që në marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe vendeve të Ballkanit herë pas here përjetohen edhe luhatje. Shkak për këtë është se vendet e rajonit preferojnë ta shohin ekzistencën e Turqisë në Ballkan më shumë në fushën ekonomike se sa atë politike.

Që nga viti 2002 Turqia ka hyrë në një ndryshim social dhe politik të rëndësishëm. Kjo u shoqërua me radhitjen e Turqisë në vitin 2010 si vendi i 16-të me ekonominë më të madhe në botë dhe rritjen e të ardhura vjetore për frymë. Falë suksesit ekonomik dhe stabilitetit politik në rritje në vend Turqia përjeton një vetëbesim në politikën e jashtme. Rrjedhimisht, Turqia që ka marrëdhënie historike dhe gjeografike me Ballkanin, filloi të ndjekë një politikë të jashtme proaktive për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe Kaukazit. Liderët turq kanë filluar të jenë zëdhënësit e rendit ndërkombëtar të bazuar në drejtësi, barazi dhe transparencë duke filluar kështu ta shohin Turqinë jo vetëm si një fuqi rajonale por edhe globale. Kështu që bërësit e politikës së re të jashtme të Ankarasë filluan të hedhin hapa me një vizion që vendos Turqinë në qendër të sistemit ndërkombëtarë dhe nuk lejon që vendi të kthehet në një mashë të interesave strategjike të vendeve të tjera. Bërja e paqes me rrugën e kompromisit me vendet fqinjë duke përforcuar miqësinë dhe gjithashtu ndërmjetësimi ndaj vendeve fqinje në konflikt u kthye në dy qëllimet themelore të politikës së jashtme turke.

Kur bëhet fjalë për Ballkanin, mund të themi se rajoni u njoh me politike e re të jashtme të Turqisë në vitin 2009. Përpara kësaj date, mund të themi se u përjetuan 3 zhvillime kryesore që bënë që Turqia të hedhë hapa në Ballkan. E para; kur filluan konfliktet etnike në Maqedoni në vitin 2001, Turqia nuk qëndroi indiferente dhe mbajti një qëndrim mbështetës ndaj tërësisë territoriale të këtij vendi.

E dyta; gjatë viteve 2006-2007, marrëdhëniet turko-rumune mbetën nën ndikimin e një lloj “dushi të ftohtë”. Para së gjithash, për ti shërbyer strategjisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Detin e Zi, Rumania shpërfilli interesat turke dhe u soll ambicioze ndaj rajonit të Detit të Zi. Kjo gjendje e shqetësoi së tepërmi Turqinë. Nga ana tjetër Rumania ishte i vetmi vend që i bëri kërkesë me shkrim Turqisë për ti njohur palës greko qipriotë statusin e vendit vëzhgues brenda Organizatës së Bashkëpunimit të Detit të Zi. Propozimi në fjalë u cilësua në Ankara si një hap i gabuar i Rumanisë. Ky zhvillim, që shqetësoi Turqinë, u tejkalua me vizitën e Presidentit të asaj kohe, Abdullah Gyl (Gül) në Rumani në vitin 2008-të.

Në vitet 2000, çështja e tretë me të cilën Turqia u interesua nga afër, ishte statusi në lidhje me Kosovën. Kur Kosova shpalli pavarësinë Turqia u tregua e kujdesshme që të ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e saj. Që në fillim Turqia hodhi hapa që përputheshin me vendet e Evropës në çështjen e Kosovës dhe kur perëndimorët e panë të përshtatshme pavarësinë e Kosovës, këtë e mbështeti edhe Turqia. Ndërsa arsyeja e dytë e rëndësishme që thekson pse Turqia njohu pavarësinë e Kosovës, është lobi i Ballkanit që është integruar në sistemin në Turqi. Ky lob i përbërë nga nënshtetasit e Republikës së Turqisë me origjinë nga Ballkani, nga aspekti i njohjes së pavarësisë së Kosovës, u mor në konsideratë nga vendimmarrësit turq.

Pas vitit 2009, shumica e hapave të hedhura nga Turqia në Ballkan, drejtpërsëdrejti ose si rrjedhojë, kishte të bënte me Bosnjë-Hercegovinës. Me qëllim që Bosnjë-Hercegovina të ishte më e qëndrueshme, Ankaraja në fillim hodhi hapa që kishin për qëllim afrimin e Serbisë me Bosnjë-Hercegovinën. Kurse për të qenë e suksesshme në këtë çështje, Turqia në fillim zgjodhi rrugën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë. Më pas filloi tradita e zhvillimit të mbledhjeve treshe në nivel ministrash të jashtëm ndërmjet Turqisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, e cila cilësohet si “Mbledhja Treshe e Këshillimit”. Një mekanizëm i tillë u krijua edhe ndërmjet Turqisë, Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në fund këto takime u rritën në nivelin e presidentëve nën emrin “Samiti Tresh i Ballkanit”.

Ashtu siç kuptohet, Turqia duke përfituar nga influenca ndaj serbëve boshnjakë në Beograd dhe kroatët boshnjakë në Zagreb, kërkon të mbajë të qëndrueshëm stabilitetin në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo strategji e Turqisë ka një kuptim të madh dhe padyshim që është me vend. Por Turqia nuk mori rezultatin e pritur në lidhje me Bosnjë-Hercegovinën. Pasi serbët boshnjakë nuk deshën të shikojnë Turqinë në Bosnjë-Hercegovinë. Në këtë kuadër ata e akuzuan Turqinë se përzihej në punët e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës dhe qaset me tendenca imperialiste në Ballkan.

Por përsëri, iniciativa e Turqisë në Bosnjë-Hercegovinë dha një rezultat nga aspekti i afrimit të Turqisë dhe Serbisë me njëra tjetrën. Ju rikujtojmë se Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) si i ftuar i homologut serb, Aleksandar Vuçiç zhvilloi një vizitë zyrtare në Serbi gjatë datave 9-11 tetor 2017. Presidenti Erdoan u prit në mënyrë madhështore nga ana e Vuçiçit. Kurse dokumentet e nënshkruara dhe deklaratat e bëra gjatë vizitës treguan se marrëdhëniet Turqi-Serbi hynë në një periudhë të re dhe filluan të kthehen në një partneritet strategjik.

Turqia përpiqet të sigurojë një ambient paqeje të vendosur si në perëndim ashtu edhe në lindje dhe këtej e tutje mbështetja vazhdimisht e politikave dhe politikanëve që përkrahin reformën dhe paqen në Ballkan ka një rëndësi kritike. Rruga më e mirë për të siguruar përparimin në Ballkan kalon nga rritja e nivelit të demokratizimit të rajonit dhe zhvillimi i tij ekonomik.

Përveç mbështetjes politike ndaj politikanëve që përkrahin reformën në Ballkan, Turqia duhet të intensifikojë edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik me vendet e Ballkanit dhe duhet të nxisë biznesmenët turq që të bëjnë më shumë investime në Ballkan. Nga ana tjetër, në kuadër të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, Turqia duhet të vazhdojë të qëndrojë pranë vendeve të Ballkanit në çështjet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Së fundmi, politika e Turqisë për Ballkanin nuk duhet të zbatohet mbi një person të vetëm të përcaktuar në vendet e rajonit. Në skenën politike të vendeve të Ballkanit ka aq shumë përçarje dhe në vend të përfitimit afatgjatë në investimin ndaj një personi , kjo mund të sjellë dëm për Turqinë. Turqia duhet të jetë e sigurt se me politikën e Ballkanit i drejtohet të gjitha palëve shoqërore në vendet e rajonit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne