Opinion

Koment – Politikat e Bullgarisë dhe Rumanisë për Detin e Zi

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Në vitet e fundit vihet re një rritje e vëmendjes së aktorëve ndërkombëtarë si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimit Evropian (BE) ndaj rajonit të Detit të Zi. Amerika dhe BE-ja e shikojnë rajonin e Detit të Zi si një urë energjie midis Lindjes dhe Perëndimit dhe si një mburojë që e mbron Evropën nga disa kërcënime siç janë: krimi i organizuar dhe terrorizmi. Ndërsa Bullgaria me Rumaninë për shkak të pozitës së tyre gjeopolitike e shohin veten si një faktor të rëndësishëm të kësaj ure energjetike dhe mburojës në fjalë.

Me përjashtim të Turqisë, vendet e tjera që kanë dalje në Detin e Zi deri në vitin 1991 kanë qenë tërësisht brenda zonës së influencës së Moskës. Më pas rajoni i Detit të Zi u bë i arritshëm edhe për aktorët e tjerë dhe si rezultat i kësaj marrëdhëniet e dominimit në rajon filluan të pësojnë ndryshime. Veçanërisht me hyrjen brenda kufijve të NATO-s edhe të brigjeve perëndimore të Detit të Zi pas anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në NATO, rajoni mori një rëndësi edhe më të madhe në aspektin e sigurisë euro-atlantike.

E parë nga këndvështrimi i Uashingtonit, si Bullgaria, edhe Rumania, vende me qeverisje pro-amerikane, kanë një pozicion gjeografikisht strategjik. Këto dy vende, të cilat janë të mbështetura fort nga NATO, nga njëra anë i hapin kufijtë e Aleancës (NATO) deri në Detin e Zi dhe formojnë një “trampolinë” për Kaukazin dhe Lindjen e Mesme. Nga ana tjetër, pozicionet e Bullgarisë dhe Rumanisë janë gjithashtu të rëndësishme edhe në drejtim të transportit të naftës së Azisë Qendrore dhe Kaspikut në Mesdhe dhe në Evropë dhe të lehtësimit të varësisë nga burimet energjetike të kontrolluara nga Rusia.

Strategjia e Amerikës për Detin e Zi bazohet në dy shtylla kryesore. Kolona e parë varet nga mbështetja logjistike që do të gjejë Amerika në vendet e rajonit. Role të rëndësishme në këtë kuadër kanë ndërmarrë Bullgaria me Rumaninë, të cilat kanë lejuar vendosjen e bazave amerikane në territoret e tyre. Kolona e dytë ka të bëjë me zgjerimin e zonave të veprimit të NATO-s dhe OSBE-së në mënyrë që të përfshijnë edhe Detin e Zi.

Nevojat gjeopolitike të ShBA-së në lidhje me rajonin e Detit të Zi gjithashtu duket se janë në përputhje edhe me synimet e qeverive në Bullgari dhe Rumani. Para së gjithash, si Sofja edhe Bukureshti kanë nevojë për ombrellën e sigurisë të Amerikës. Me fjalë të tjera, as Bullgaria, as Rumania nuk duan t’ia besojnë sigurinë e tyre plotësisht Evropës. Dhe kjo për shkak se vendet e BE-së nuk arritën të veprojnë brenda një koncepti të përbashkët sigurie si në luftërat e viteve 1990 në Ballkan, ashtu edhe gjatë konflikteve në Lindjen e Mesme.

Bullgaria dhe Rumania besojnë se falë bazave amerikane do të konsolidohet si siguria e vendit, edhe ajo e rajonit. Nga ana tjetër, ka pritshmëri që bazat amerikane do të kontribuojnë edhe në modernizimin e ushtrive bullgare dhe rumune. Për më tepër, donacionet më të mëdha në reformën e sektorëve të mbrojtjes dhe sigurisë të Bullgarisë dhe Rumanisë vazhdojnë të vijnë nga Amerika.

Bullgaria dhe Rumania, të cilat kanë lejuar vendosjen e bazave amerikane në territoret e tyre kanë edhe pritshmëri ekonomike nga kjo. Besohet se me konsolidimin e sigurisë në këto vende, jo vetëm të dyja vendet, madje edhe rajoni, do të bëhen më tërheqës në aspektin e investimeve të huaja direkte. Megjithatë, edhe Bullgaria, edhe Rumania mendojnë se do të marrin më shumë mbështetje ekonomike nga Uashingtoni, për sa kohë që do ti kenë të zhvilluara marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara.

Në kontekstin e strategjisë amerikane për Detin e Zi, në shikim të parë është e mundur të mendojmë se Bullgaria me Rumaninë luajnë një rol disi të ngjashëm. Por kur vjen puna te detajet, duket se situata qëndron disi më ndryshe. Politika e jashtme bullgare parashikon bashkëpunim në rajonin e Detit të Zi. Madje duket qartë që autoritetet bullgare po përpiqen ta shndërrojnë vendin e tyre në një pozicion që lidh Evropën me Detin e Zi, Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore në drejtim të transportit, komunikimit dhe korridoreve të energjisë. Ndryshe nga Rumania, Bullgaria i jep prioritet vendosjes së stabilitetit në Ballkan. Për sa i përket arsyes së kësaj, ajo është se sa herë që ka ndonjë problem në Ballkan, kjo mund ti shkaktojë Bullgarisë të paktën humbje ekonomike.

Ndryshe nga Bullgaria, rajoni i Detit të Zi në politikën e jashtme të Rumanisë zë një vend më prioritar sesa Ballkani. Madje po ta krahasojmë me Bullgarinë, është e qartë se qëndrimi i Rumanisë ndaj Rusisë nuk është edhe shumë miqësor. Rumania po përpiqet të sigurojë mbështetjen e Uashingtonit edhe në drejtim të problemeve, me të cilat ballafaqohet ajo në politikën e saj të jashtme për shkak të pranisë në rajonin e Detit të Zi. Lëvizjet separatiste të rusëve të mbështetur nga Moska në rajonin e Transdniestrit në lindje të Moldavisë renditen në krye të çështjeve që e shqetësojnë më shumë Rumaninë. Pas aventurave të Rusisë në rajonin e Krimesë, mbajtja e marrëdhënie të mira me Uashingtonin si dhe lejimi i dislokimit të trupave amerikane morën më shumë kuptim edhe për Rumaninë./ trt

OPINIONE