Koment – Siguria apo ekspansionizmi i Izraelit?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Terminologjia përcakton gjithashtu përmbajtjen. Konceptet që ju përdorni, shprehin këndvështrimin tuaj ndaj një çështjeje, pozicionin tuaj dhe atë çfarë ju shikoni si problem apo zgjidhje në raport me atë çështje.

Që kjo të kuptohet më mirë, le të japim një shembull: Nëse zgjidhni konceptin e “Islamit të Moderuar”, ajo çfarë ju shtroni si problematikë në thelb është Islami. Kur flisni për këtë koncept, pak a shumë bëhet fjalë për llojet e “Islamit radikal, të dhunshëm, xhihadist dhe fanatik”, por ju keni përvetësuar qasjen e “Islamit të Moderuar”, e cila është ajo më e arsyeshmja/pranueshmja mes tyre. Ndërsa po të zgjidhni konceptin e “Perëndimit të Moderuar” – siç kam shkruar edhe në një nga artikujt e mëparshëm – në thelb, krahas dëmeve të shumta që Perëndimi i ka shkaktuar njerëzimit, ju tërhiqni vëmendjen mbi kontributin dhe të mirat që Perëndimi i ka ofruar/do t’i ofrojë njerëzimit kur është i moderuar; rrjedhimisht, ju theksoni nevojën për Perëndimin e Moderuar.

Në analizat për Lindjen e Mesme dhe sidomos për krizën siriane, spikasin dy gjëra, dy mangësi. Së pari, ndonjëherë bëhen analiza sikur në Lindjen e Mesme të mos ekzistonte një shtet i quajtur Izrael. Ashtu si dhe në rastin e krizës siriane, Izraeli neglizhohet në një farë mënyre sikur krizat në Lindjen e Mesme të mos kishin lidhje me këtë vend. Kur në fakt popujt e Lindjes së Mesme janë duke jetuar periudhën ndoshta më të trazuar e më të paqetë të historisë së tyre që pas themelimit të shtetit izraelit. Efekti i Izraelit harrohet ose bëhet që të harrohet gjithashtu në krizën siriane. Në trajtësimin e kësaj situate duhet njohur medoemos merita e influencës së politikës së heshtur dhe të thellë të Izraelit, në mënyrë aspak familjare për popujt e Lindjes së Mesme. Kur pyeten shtetet humbëse në krizën siriane që prej fillimit të saj e deri më sot, me siguri që mund të numërohen mjaft të tilla. Ndërsa Izraeli është me shumë gjasa vendi që ka përfituar më tepër nga kriza në fjalë. Sepse me shpërthimin e krizës siriane kanë humbur terren pothuajse të gjitha shtetet, të cilat Izraeli i konsideron si kërcënim ndaj tij. Irani, Turqia dhe gati të gjitha vendet arabe, me në krye vetë Sirinë, janë duke pësuar dëme mjaft serioze nga kjo krizë. Disa nga shtetet e Gjirit, të cilat ishin më parë në krah të kauzës së drejtë palestineze, sot duket se kanë formuar një bllok me Izraelin.

Nga ana tjetër, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe politikat ekspansioniste, të cilat aplikohen nga Izraeli dhe kundërshtohen nga bashkësia ndërkombëtare, organizatat e të drejtave të njeriut dhe ndërgjegjja universale, shkaktojnë më pak reagim duke qenë se vëmendja është përqendruar në Siri.

Kurse mangësia e dytë në analizat për Lindjen e Mesme ka të bëjë me qasjet, të cilat, edhe pse nuk e neglizhojnë Izraelin në kontekstin e krizave rajonale në përgjithësi dhe çështjes siriane në veçanti, e shpjegojnë problemin nëpërmjet sigurisë së Izraelit. Analistët perëndimorë gati plotësisht dhe ata me origjinë nga Lindja e Mesme ndonjëherë theksojnë në vlerësimet e tyre termin e “sigurisë së Izraelit”. Kur çështja shikohet nga perspektiva e sigurisë së Izraelit, atëherë konsiderohen të justifikuara kaq shumë gabime, padrejtësi që janë bërë deri më sot dhe që vazhdojnë të bëhen nga Izraeli në Lindjen e Mesme. Sepse kur bëhet fjalë për çështje sigurie, natyrisht, çdo vend duhet të marrë masat e nevojshme kundër kërcënimeve ndaj tij. Dhe në këtë pikë, teksa një vend merr kësisoj masash, e shumta ai mund të kritikohet për sjellje/veprime të pakujdesshme apo të tepruara, për mos respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Megjithatë problemi në Lindjen e Mesme nuk është siguria e Izraelit, por ekspansionizmi izraelit. Këtë realitet e vërteton fare qartë harta, që paraqitet shpeshherë në media dhe që tregon se sa shumë i ka zgjeruar Izraeli territoret e tij nga viti 1947 e deri më sot. Në 1946-n, çifutët jetonin vetëm në disa vendbanime të caktuara në territoret palestineze, kurse sot është tërësisht e kundërta. Kjo hartë është një indeks i qartë dhe i dhimbshëm i përmasave kolosale të ngushtimit të territoreve palestineze, i transformimit të tyre në një burg të hapur. Përgjigjja e një të riu nga Gaza ndaj pyetjes “cila është ëndrra juaj?”, drejtuar tij nga gazetari turk, Mehmet Akif Ersoy, rezulton një përmbledhje therëse e gjendjes dramatike të shndërrimit të territoreve palestineze në burg: “Të mund të ngas makinën për 30 minuta me shpejtësi 180 km/orë pa u kapur nga ndonjë kontroll izraelit!”

Në anën tjetër, nuk ka po ashtu kurrfarë shenje se Izraeli do të mjaftohet me kufijtë që zotëron sot. Pavarësisht se disa hebrenj e kundërshtojnë me insistim, çifutët fanatikë, racistë dhe sionistë ndjekin me të paktën po aq ngulm “Idealin e Izraelit të Madh”, një realitet ky që tashmë s’është më aspak sekret. Një hulumtim sipërfaqësor nëpërmjet internetit do të ishte më se i mjaftueshëm për të parë këtë fakt. Në kuadrin e Idealit të Izraelit të Madh, çifutët sionistë bartin pretendimin se zonat e banuara nga arabët, kurdët, turqit dhe grupet e tjera etnike, përfshi këtu territoret mes lumenjve Tigër dhe Eufrat, janë “Toka e Premtuar” për ta (hebraisht: HaAretz HaMuvtahat; ose arabisht: Ard al-Mi’ad). Dhe sot, në kontekstin e luftës civile siriane, paqëndrueshmëria më e madhe po dëshmohet pikërisht mbi këto territore të konsideruara nga çifutët racistë si “Ard al-Mi’ad”.

Parë nga aspekti i politikave të aplikuara nga Izraeli që prej themelimit të tij e deri më sot, por edhe nga politikat rajonale aktuale të shtetit hebre, duket haptazi që ai ndjek një linjë politike agresive të vazhdueshme. Termi “siguria e Izraelit” po funksionon në thelb për të fshehur politikat agresive dhe ekspansioniste të ndjekura nga ky vend që prej themelimit të tij e deri në ditët e sotme; prandaj terminologjia e saktë nuk është “siguria e Izraelit”, por “ekspansionizmi izraelit”.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne