Opinion

Koment – Turqit e Rumanisë

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Krahina e Dobruxhës në Rumani është një nga hapësirat gjeografike shembullore të bashkëjetesës në paqe të komuniteteve të ndryshme. Turqit që jetojnë në këtë krahinë, përveç të qenit qytetarë besnikë të Rumanisë, përpiqen edhe për të mbrojtur identitetin dhe vlerat e tyre kulturore. Në ditët e sotme, turqit e Rumanisë japin kontribute të rëndësishme edhe në afrimin me njëra-tjetrën të Turqisë e Rumanisë.

Në Rumani, turqit jetojnë kryesisht në krahinën e Dobruxhës. Përveç turqve të Anadollit, që u vendosën në Dobruxha në kuadër të politikës së Shtetit Osman për ngulitjen e popullsisë, kjo krahinë filloi të strehojë një popullsi të konsiderueshme turke edhe si rrjedhojë e mërgimit këtu të Tartarëve të Krimesë. Vetëm se me kalimin e kohës pati edhe një migrim të kundërt nga kjo krahinë në drejtim të Anadollit. Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë (census) në vitin 2011 në Rumani jetojnë gjithsej 48 mijë e 290 turq, nga të cilët 28 mijë e 226 janë turq Oguzë dhe 20 mijë e 464 janë turq Tartarë. Kurse në regjistrimin e vitit 2002, numri total i turqve Oguzë dhe Tartarë ishte 56 mijë 733. Për shkak të politikës së qëllimshme ndarëse që është ndjekur në periudhën e Bashkimit Sovjetik, dallimet politike midis këtyre dy komuniteteve turke në Rumani janë të ndjeshme edhe sot e kësaj dite. Megjithatë, brezat e rinj japin shpresa të reja në drejtim të unitetit dhe solidaritetit të turqve të Rumanisë.

Deri në fillim të periudhës socialiste, turqit e Rumanisë në një masë të rëndësishme patën sukses në ruajtjen e identitetit të tyre kulturor dhe fetar si dhe në mbrojtjen e të drejtave të tyre politike dhe sociale. Por gjatë regjimit socialist, që filloi në vitin 1944, ashtu si pakicat e tjera edhe të drejtat e turqve të Rumanisë u përballën me shkelje dhe ndërprerje të ndryshme duke filluar nga arsimi e kultura e deri tek jeta fetare. Ndërsa aty nga fillimi i viteve 1990 gjendja e pakicave në Rumani, duke përfshirë edhe turqit, u rregullua.

Mbi të gjitha, neni 6 i kushtetutës rumune u garanton pakicave të drejtën për të mbrojtur dhe zhvilluar identitetin e tyre etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar. Ndërsa në nenin 32 theksohet se pakicat mund ta mësojnë gjuhën e tyre amtare dhe arsimin mund ta ndjekin në gjuhën amtare sipas kornizës ligjore. Megjithatë, turqit në Rumani nuk kanë një shkollë që të jetë brenda sistemit arsimor rumun dhe ku të gjitha lëndët të jenë në gjuhën turke. Ashtu si pakicat e tjera edhe turqit mund ta mësojnë gjuhën amtare si lëndë me zgjedhje, përveç kësaj ata mund të marrin mësime në gjuhën turke edhe rreth historisë dhe traditave të turqve. Por megjithatë bie në sy fakti mbi disa nevoja prezente për tekste të gjuhës turke dhe fesë që do të përdoren në shkollë si dhe për mjete e pajisje mësimore.

Sipas nenit 59 të kushtetutës rumune, pakicave që nuk kanë vota të mjaftueshme për të merituar përfaqësimin e tyre në parlament, do t’ju rezervohet nga një vend në parlamentin rumun. Sipas këtij neni, të dy komunitetet turke në Rumani, Oguzët dhe Tartarët mund të kenë nga një deputet në parlamentin rumun. Kandidatët për deputet votohen në mbledhjet e këshillit të përgjithshëm të dy shoqatave, të cilat përfaqësojnë minoritetin turk përpara autoriteteve zyrtare të Rumanisë dhe që bëjnë përpjekje për të përfituar nga të drejtat ligjore që u njihen pakicave në këtë vend. Këto dy shoqata janë “Bashkimi Demokratik Turk i Rumanisë” dhe “Bashkimi Demokratik i Turqve Tartarë Myslimanë të Rumanisë”. Përpjekjet për ti bashkuar këto dy shoqata nën një çati, siç kanë qenë dikur, nuk kanë dhënë rezultat deri më sot. Përveç dy deputetëve që kanë në parlamentin rumun, turqit gjithashtu marrin pjesë edhe në zgjedhjet lokale. Kështu ata përpiqen të gjejnë zgjidhje për nevojat e tyre duke marrë pjesë në qeverisjet vendore.

Sigurisht, turqit e Rumanisë mund të jenë gjithashtu aktivë edhe nëpërmjet partive të tjera politike të vendit. Partia Socialdemokrate (PSD), e cila arriti të dalë e para në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 11 dhjetor 2016 duke marrë rreth 46% të votave, si kandidat për kryeministër të vendit kishte treguar Sevil Shhaideh nga pakica turke në Rumani. Por presidenti rumun Klaus Iohannis, duke përdorur të drejtën e tij kushtetuese, refuzoi kandidaturën e Shhaideh-ut për kryeministër. Sipas lajmeve që qarkulluan në median rumune Sevil Shhaideh nuk u konsiderua si kandidate e përshtatshme për postin e kryeministrit për shkak të bashkëshortit të saj, Akram Shhaideh, i cili ka lindur në Siri dhe pretendohet se ka lidhje të afërta me regjimin e Esadit.

Në lidhje me aktivitetet kulturore të turqve të Rumanisë, këto më së shumti realizohen nga “Bashkimi Demokratik Turk i Rumanisë” dhe “Bashkimi Demokratik i Turqve Tartarë Myslimanë të Rumanisë”. Këto shoqata bëjnë përpjekje edhe për të ruajtur zakonet dhe traditat e turqve, gjuhën dhe besimin e tyre. Përveç kësaj, këto shoqata, të cilat gjithashtu përfitojnë nga fondet e qeverisë rumune, nxjerrin botime periodike me shkrime në gjuhët turqisht dhe rumanisht; organizojnë festivale, simpoziume e takime të ndryshme. Krahas publikimeve me shkrim, informacion në lidhje me komunitetin turk në Rumani jepet edhe përmes një emisioni radiofonik 30 minuta që transmetohet një herë në javë në Radion e Kostancës dhe emisionit njëorësh që jepet në televizionin kombëtar të Rumanisë një herë në muaj.

“Bashkimit Demokratik Turk i Rumanisë” dhe “Bashkimit Demokratik i Turqve Tartarë Myslimanë të Rumanisë” u takojnë detyra të rëndësishme për t’u përcjellë brezave të ardhshëm kulturën dhe vlerat e turqve të Rumanisë si dhe për mbrojtjen e trashëgimisë osmano-turke në Rumani./ trt

OPINIONE

INTERVISTA