Koment – Turqit e Trakisë Perëndimore: Jo asimilimit

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Mendoni për disa çaste! Pavarësisht se si e përkufizoni/identifikoni veten tuaj (gjerman, arab, turk, mysliman, i krishterë, ateist…), në atdheun tuaj ku jetoni prej më se 1.000 vitesh, shteti ju thotë që “ju s’jeni ata që mendoni” dhe që “në këtë vend nuk ka një komunitet siç ju identifikoheni”.

Sikur dëgjoj të thoni: “E çfarë u duhet shteteve se si e identifikojnë veten njerëzit?! Shtetet duhet vetëm të pranojnë dhe respektojnë atë se si komunitetet e përkufizojnë/identifikojnë veten e tyre. Një diçka e tillë s’mund të ketë të ngjarë në këtë epokë.”

Do të kisha shumë dëshirë të shprehesha me këto fjalë: “Keni shumë të drejtë! Një mendësi e tillë kaq anakronike dhe fashiste s’mund të jetë mentaliteti i kësaj epoke. Mund të jetë vetëm një shembull i varrosur në histori.”

Por, mjerisht, nuk është kështu! Situata në fjalë vijon ende në Greqi, një vend anëtar i Bashkimi Evropian. Njerëzit përpiqen prej dekadash që shteti grek të pranojë se ata janë të pranishëm këtu prej më se 1.000 vitesh me identitetet e tyre myslimane dhe turke.

Jam duke folur për dramën e turqve të Trakisë Perëndimore.

Turqit e Trakisë Perëndimore jetojnë në këto treva që përpara Shtetit Osman. Pas tërheqjes së Perandorisë Osmane, të drejtat e pakicës myslimane turke në Trakinë Perëndimore janë garantuar me marrëveshje ndërkombëtare dhe të ndërsjella. Mirëpo, në praktikë, shumica e këtyre të drejtave ekzistojnë vetëm mbi letër. Sot dua të flas vetëm për njërën nga këto të drejta që shkelen.

Ndërgjegjja e plagosur

Të gjitha të drejtat dhe liritë, sikurse ato politike, ekonomike e kulturore, janë padyshim të rëndësishme dhe të çmuara. Por se si apo çfarë dëshiron njeriu që ta përkufizojë/identifikojë veten e tij, kjo është një ndër të drejtat më themelore të njeriut. Është një e drejtë ontologjike. Sipas artikullit 6. të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (UDHR), “gjithkush ka të drejtë të njihet kudo si individ para ligjit”. Se si personi dëshiron të përkufizojë/identifikojë veten nuk është një diçka që i takon shtetit, por një çështje vetjake dhe një pjesë e domosdoshme e personalitetit. Refuzimi i identitetit ose përkatësisë së një personi është e barabartë me mohimin e ekzistencës së atij personi. Ndoshta për këtë arsye, Amin Maalouf tërheq vëmendjen në librin e tij “Identitete Vdekjeprurëse” se identiteti i njeriut formohet nga vendi ku merr më shumë plagë. Sepse njeriu, që i mohohet ekzistenca dhe identiteti me të cilin ai vetëpërkufizohet, u bën ballë të gjitha presioneve për të zbuluar ekzistencën e tij. Përpjekjet/lufta e të krishterëve dhe myslimanëve të parë kundër shtypjeve, zullumet që ata duruan për të shprehur identitetin e tyre, janë një prej shembujve konkretë të situatës në fjalë.

Identiteti turk i mohuar

Pa kurrfarë dallimi nga kjo situatë janë edhe zhvillimet në kontekstin e identitetit turk në Trakinë Perëndimore. Themeluar në vitin 1927, “Unioni Turk i Iskeçes” (Iskeçe = Ksanthi) ka ekzistuar i qetë dhe pa ndonjë problem deri në vitin 1983, kur forcat e sigurisë rrëzuan tabelën e shoqatës me justifikimin se në emrin e saj përmendej fjala “turk”. Aktivitetet e saj nuk u lejuan më, pra, u ndaluan. Shoqata u mbyll nga gjykatat vendore dhe Gjykata e Lartë greke me motivacionin se “në Trakinë Perëndimore nuk ka turq”. Pas këtij vendimi, turqit myslimanë të Trakisë Perëndimore e transferuan çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECtHR). Në vitin 2008, ECtHR-ja vendosi në favor të Unionit Turk të Iskeçes duke gjykuar si të drejtë ankesën e shoqatës. Por, sipas legjislacionit grek, vendimi i ECtHR-së nuk prodhon një rezultat automatik; drejtësia duhet të kërkohet përsëri me anë të mjeteve juridike të brendshme. Dhe kështu, në 10 vitet e fundit, turqit e Trakisë Perëndimore po luftojnë që Greqia të zbatojë vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Seanca gjyqësore e fundit në lidhje me këtë çështje u zhvillua në Gjykatën e Apelit të Gumulcines (Gumulcine = Komotini), më datë 9 shkurt 2018, por sërish pa rezultat.

Turqit myslimanë të Trakisë Perëndimore po bëjnë prej tashmë 35 vitesh një luftë juridike për ndreqjen e një praktike, e cila ka nisur më 1983-shin dhe shkel të drejtën më themelore të njeriut. Ata e vijojnë luftën e tyre juridike pa u lodhur, pa u trembur dhe pa dalë kurrë jashtë kornizës ligjore. Ata presin drejtësi prej 35 vitesh nga Greqia dhe Bashkimi Evropian, i cili nuk ushtron presion sa duhet ndaj Athinës. Por në këtë proces, shteti grek i kushton rëndësi politikave të frikësimit, në vend të drejtësisë.

Dita e Rezistencës Kombëtare

Më 29 janar 1988, turqit e Trakisë Perëndimore organizuan një manifestim me pjesëmarrje të gjerë kundër vendimit të Gjykatës së Lartë të Greqisë, e cila mohoi ekzistencën e tyre duke i injoruar ata tërësisht. Pas kësaj date, ata e shpallën 29 janarin si “Dita e Rezistencës Kombëtare”. Mirëpo Greqia zgjodhi metodën e shtypjes dhe bllokimit të aktiviteteve në këtë ditë. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve për të penguar aktivitetet në Ditën e Rezistencës Kombëtare, në vitin 1990, dhjetëra-mijëra njerëz morën pjesë në manifestim duke shpalosur fuqishëm ekzistencën dhe identitetin e tyre. Por gjatë këtyre demonstratave të ligjshme dhe demokratike, grekët fanatikë sulmuan turqit. Për dy ditë me radhë, qindra biznese të turqve myslimanë të Trakisë Perëndimore u plaçkitën dhe dëmtuan. Shumë turq u plagosën rëndë, përfshi këtu dy emra të rëndësishëm si Mehmet Emin Aga dhe Ahmet Faikoglu, i pari myftiu i zgjedhur i Iskeçes dhe i dyti një deputet i pavarur në legjislaturën e asaj kohe. Ndërkohë policia greke bëri vetëm spektatorin.

Mos vetëm identiteti turk mohohet?

Fatkeqësisht, problemet në Greqi nuk kufizohen vetëm me mohimin e identitetit turk. Edhe pse janë të garantuara me ligje dhe marrëveshje të ndërsjella, turqve myslimanë të Trakisë Perëndimore nuk u lejohet që të zgjedhin myftiun e tyre, u kufizohet liria e adhurimit dhe e drejta për arsim, u ndërhyhet ndaj të drejtës së pronës, nuk u kthehen mallrat e konfiskuara të vakëfeve, ndërsa dhjetëra-mijërave u është hequr nënshtetësia. Ata që janë kureshtarë për problemet e turqve të Trakisë Perëndimore, mund të shohin Raportin për Shkeljet e të Drejtave të Njeriut në Greqi, përgatitur në turqisht, greqisht dhe anglisht nga Universiteti “Katip Çelebi”.

Këto shkelje në Greqi realizohen ndërkohë që Turqia ka bërë shumë hapa pozitive, mes të cilave vlen të përmenden restaurimi dhe rihapja për adhurim e Katedrales së Kryqit të Shenjtë në ishullin liqenor Akdamar, kthimi i truallit të Manastirit të Shën-Gabrielit, rihapja e Shkollës Greke në ishullin Gokçeada (Gokçeada = Imvros), si dhe mbulimi nga Ankaraja i të gjitha shpenzimeve të restaurimit të Kishës Bullgare (Kisha e Shën-Stefanit) në Stamboll.

Një dimension tjetër i trishtueshëm i kësaj çështjeje është mungesa e një politike aktive të mjaftueshme për të parandaluar këto shkelje, të cilat vazhdojnë prej dekadash, si nga institucionet e BE-së, ashtu edhe nga institucionet apo organizatat ndërkombëtare. Shkeljet e lartpërmendura s’njihen mjaftueshëm as në botën islame.

Edhe më për të ardhur keq është se organizatat e të drejtave të njeriut dhe intelektualët në Turqi kanë njohuri të thella e interes të madh për problemet e rëndomta në lidhje me të drejtat e njeriut në vendin e tyre dhe shumë pak njohuri e interes, për të mos thënë aspak, rreth shkeljeve kolosale e flagrante në Greqinë fqinje.

Urojmë dhe shpresojmë që të rritet me shpejtësi numri i studimeve apo hulumtimeve të ngjashme me Raportin për Shkeljet e të Drejtave të Njeriut në Greqi, në mënyrë që njerëzit tanë të kenë më tepër njohuri mbi shkeljet në vendet e tjera, por edhe që shkelje të këtilla të ketë sa më pak./ trt

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne