Komisioni Europian rekomandon shembjen e izolimit të kosovarëve

Nga: Muharrem SARAGJOLLI 

Komisionari i BE-së për migrim, çështje të brendshme dhe shtetësi Dimitris Avramopoulos, bashkë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi kanë dhënë lajmin se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave. Komisionari Avramopoulos ka thënë se çështja tashmë është në duar të Këshillit dhe Parlamentit Evropian.

“Ne e kemi bërë pjesën tonë dhe tani kjo çështje është në duart e institucioneve tjera të BE-së dhe Kosovës. Sot ju bëjë thirrje edhe Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian që të lëvizin në mënyrë sa më të shpejt dhe t’ju ofrojnë lëvizje të lirë qytetarëve të Kosovës në bashkimin Evropian. Para dy viteve e kam thënë se e kemi edhe 1km ndërkaq sot mendoj se kemi vetëm edhe 100 metra, pra kjo është shumë e qartë”, ka thënë Avramopulos.

E presidenti Hashim Thaçi vlerësoi se rekomandimi pozitiv për vizat është i bazuar në meritat e institucioneve të Kosovës.

“Kjo nuk ka qenë një dhuratë, por një mirënjohje e punës së vështirë që e kemi bërë së bashku. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, por do të ketë ndikim pozitiv edhe në lëvizjen e mallrave dhe mbi të gjitha do të avancojë idealet dhe vlerat evropiane në Kosovë”, është shprehur Thaçi. 

Presidenti Thaçi ka pohuar se liberalizimi i vizave është momenti më domethënës në rrugën evropiane të Kosovës deri në anëtarësimin në BE duke thënë se tashmë ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të një shoqërie të tërë evropiane.

***

Parlamenti i Kosovës problem me kuorumin 

Të hënën ka vazhduar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, e cila kishte sërish probleme me kuorumin. Megjithatë, pas disa përpjekjesh është miratuar një marrëveshje ndërkombëtare për të cilën nevojiteshin 2/3 e votave të deputetëve. Në përsëritjen e votimit u miratua projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit “Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për të cilën nevojiteshin 2/3 e votave. Deputeti i Nismës, Bilall Sherifi, pas disa dështimeve i luti deputetët e opozitës që të votohet ky projektligj.

“Për shkak të rëndësisë që ka jo për neve si deputetë por për shumë biznese të vogla e të mesme, të cilët presin miratimin e këtij ligji në mënyrë që të përfitojnë nga këto fonde, le të marrin pjesë në votim, le të votojnë me 2/3 dhe të japin mundësi që të konkurrojnë si gjithë bizneset e vogla dhe të mesme të vendeve të rajonit në këto fonde. Kjo ishte një lutje për deputetët të cilët nuk morën pjesë në votim, për çfarëdo arsye”, tha Sherifi. 

Pas kësaj lutjeje, me 85 vota për, kaloi ky projektligj. Kuvendi i Kosovës e miratoi edhe Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë. Ky ligj ishte diskutuar disa herë në seancat paraprake të kuvendit, dhe ishte përcjellë me debate të ashpra në mes të pozitës e opozitës.

Në vazhdim u miratuan amendamentet e disa projektligjeve, si dhe u miratua në leximin e dytë Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Gjithashtu, Kuvendi miratoi projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovë. Në këtë seancë, u miratua edhe raporti vjetor financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2017. Në mungesë të kuorumit, nuk ka kaluar Raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017. Në mesin e shumë pikave të rendit të ditës, ishte paraparë të ketë debat parlamentar edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Me vetëm 56 deputetë në sallë, pas orës 17:00 Kuvendi mbylli punimet. Kuvendi vendosi që punimet e seancës t’i vazhdojë ditën e enjte prej orës 10:00

***

Dështon takimi i Veselit 

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli për të hënën kishte thirrur në takim pozitë e opozitë për të biseduar lidhur me procesin e dialogut me Serbinë. Por, para gazetarëve ka dalë I vetëm kryeparlamentari, duke thënë se ishin në takim, kryeministri, zëvendës-kryeministrat dhe përfaqësuesi i Grupit 6 Plus, por jo edhe opozita.
“Kërkesa e sotme për takim ka qenë më tepër kërkesë e opozitës, formati i këtij takimi. Kërkesë e opozitës që i është bërë qoftë përfaqësuesve të BE-së, qoftë ambasadorit të SHBA-së”, tha Veseli.
Veseli tha se nuk është privilegj të dialogohet me Serbinë në fazën përfundimtare të dialogut, por është përgjegjësi e secilit, përgjegjësi edhe e opozitës.
“Mesazhi që sot do duhej ta dërgonim, ka qenë mesazhi i unitetit dhe qëndrimi konsistent se Kosova është shtet i pavarur dhe sovrani, se sovraniteti jonë është i pacënueshëm, për aq sa edhe respektimi i Kushtetutës”, tha Veseli.
Megjithatë, Veseli, shprehu besimin se do të ketë një unitet të plotë në këtë proces.
***

Kryetari i Mitrovicës Bahtiri kundër Thaçit si kryenegociator

Pas ngritjes së zërave se mund të ketë ndarje apo edhe shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, mbajti debat me qytetarë. Sipas Bahtirit, askush nuk ka legjitimitet që të diskutoj për ndarjen e Kosovës  pasi që ndarja e vendit mund ta qoj vendin në luftë.

I pranishëm në këtë debat ku u diskutua lidhur me mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe pasojat, ishte edhe deputeti i Vetëvendosjes Adem Mikullovci, i cili tha se nuk do ta lejojnë ndarjen e as shkëmbimin e territoreve.

Sipas Bahtirit e Mikullovcit, presidenti Thaqi nuk ka legjitimitet që të dialogojë me Serbinë, pasi që nuk është caktuar nga Kuvendi i Kosovës. Por, ndryshe nga ta, u shpreh përfaqësuesi i PDK-së në Mitrovicë, për të cilin ky debat ishte tendencioz dhe u bë për poena politikë. Në debatin e organizuar nga komuna e Mitrovicës u kërkua që edhe asociacioni i komunave me shumice serbe te jete ne përputhje me kushtetutën.

***

Kryeministri Haradinaj takim me zëvendës-kryeministrin Pacolli 

Kryeministri Ramushi Haradinaj ka zhvilluar një takim punë me Ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, me të cilin kanë diskutuar kryesisht rreth rolit të diplomacisë kosovare.  Haradinaj ka lavdëruar punën e diplomacisë. Ndërkaq, i pari i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, tregoi për planet e kësaj ministrie për anëtarësimin e shpejt të Kosovës në Interpol dhe UNESCO.
Pacolli gjithashtu foli edhe për ndryshimet e mundshme të ambasadorëve  të Kosovës në shtete të ndryshme. Ai tha se do të bëjë balancimin e ambasadoreve, ku 50 për qind do të jenë njerëz të politikës dhe 50 për qind do të jenë ambasador të karrierës.

***

8 vite të GJND-së

Të dielën janë bërë 8 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Ky vendim i parapriu shumë proceseve politike, në të cilat ishim të bashkuar, duke ia siguruar Kosovës ndër fitoret më të mëdha ndërkombëtare. Edhe sot, na presin shumë sfida, e për tejkalimin e tyre duhet të japim kontribut të gjithë, për t’i siguruar fitoret e radhës së shtetit tonë, anëtarësimet në BE, NATO dhe OKB, ka shkruar presidenti Thaçi në Facebook.

E kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se GjND, në opinionin e vet, vlerësoi se përpjekjet tona historike ishin të drejta.

“Ky vendim i rëndësishëm hapi rrugë për të ndërtuar Kosovën shtet modern që aspiron integrimet euro-atlantike. Ne kemi ende punë për të bërë, por progresi nuk do të ndalet. Me dhënien e dritës së gjelbër për liberalizim të vizave vuloset e ardhmja jonë në familjen e shteteve paqedashëse dhe demokratike. Kosova në tërësinë e saj të plotë territoriale është faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe më gjërë”, ka shkruar Haradinaj në rrjet social.

Kurse lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përveç që ka kujtuar këtë ditë, ka nisur kritika të shumta ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Kurti ka shkruar se pas gjithë këtyre viteve, duhet të vihet në dukje që Deklarata e pavarësisë së Kosovës, përmban një moment emancipues të rëndësishëm, të cilin, siç shkruan ai “një qeveri me vullnet politik tjetër fare do të mund ta mobilizonte progresivisht në drejtim të heqjes graduale të kufizimeve të vendosura përmbi të, si pasojë e një kompromisi ndërkombëtar çfarë̈ ishte pakoja e Ahtisaarit”.

Përveç të tjerash, Kurti thotë se ky moment emancipues është harruar edhe nga Qeveria e atëhershme Thaçi e edhe tani Qeveria Haradinaj.

***

Investitorët e huaj vinë në Kosovë, shohin, dhe ikin 

Shumica e investitorëve potencialë në Kosovë që kanë ardhur në 5 muajt e parë të këtij viti, janë larguar pa asnjë investim. Kështu ka thënë kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) Agim Shahini, gjatë publikimit të një raporti rreth investimeve të huaja në Kosovë dhe rekomandimeve që kanë dhënë investitorët potencialë.

Nga 550 kompani me potencial investues që kishin ardhur në Kosovë për të hulumtuar tregun dhe mundësitë e investimeve, 94% e tyre janë larguar pa asnjë investim. Katër për qind janë duke e shqyrtuar mundësinë e investimit, derisa vetëm dy për qind e kanë filluar investimin në Kosovë, ka bërë të ditur kryetari Shahini.

Edhe nënkryetari i AKB-së, Suad Berisha, tha se një ndër ankesat që ka dalë prej hulumtimit me investitorë potencialë, është ligji për investime të huaja.

Udhëheqësit e Aleancës Kosovare të Biznesit u kanë bërë thirrje institucioneve shtetërore që t’i përmirësojnë kushtet e investimit në vend, në mënyrë që investitorët të mos ikin nga vendi.

Sipas tyre, 35% e investitorëve të larguar nga Kosova kanë shkuar në Serbi për të investuar, 25% në Maqedoni si dhe 10% në Shqipëri.

***

21 milionë euro për ekonominë digjitale në Kosovë

Ministria e Financave ka nënshkruar marrëveshje me Bankën Botërore,  për financim e projektit “Ekonomia Digjitale në Kosovë” në vlerë prej afro 21 milionë euro. Ky projekt, do të kontribuojë shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, ka thënë ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë nënshkrimi të marrëveshjes. Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, tha se ky proces është i ngjashëm me liberalizimin e vizave, pasi mundëson një shkëmbim ekonomik në mes të vendeve të botës.

“Sepse e sjell botën në Kosovë dhe e dërgon Kosovën në botë. Qëllimi i këtij projekti është që të arrihet deri në vendet më të larta, të cilat ende nuk janë të rregulluara me brezin e digjitalizimit, dhe presim që deri në vitin 2023 më shumë se 200 fshatra që nuk janë të lidhura me këtë brez frekuencor të lidhen.”

Projekti do të zgjasë 5 vite dhe do të implementohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

***

Taksë e shtuar doganore për pemë e perime 

Për 21 lloje të pemëve e perimeve që importohen në Kosovë, nga e mërkura paguhet 30 për qind taksë doganore. Taksë e shtuar doganore paguhet edhe për qumështin e importuar nga Bosna e Hercegovina.

Vendimi për këtë si dhe për qumështin e importuar nga Bosna e Hercegovina është marrë në mbledhjen e qeverisë, pas insistimit të ministrit të Tregtisë e Industrisë Bajram Hasani.

“Prodhuesit e qumështit dhe kultivuesit e pemëve dhe perimeve më nuk do të shqetësohen nga konkurrenca e padrejtë që u bëhet nga importi”, ka shkruar ministri Hasani në Facebook.

Vendimi i qeverisë, ka filluar të zbatohet menjëherë të nesërmen, ka konfirmuar zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Dogana e Kosovës ka futur në aplikim këto dy vendime të MTI-së, së pari për pemë e perime që është rreth 30% të vlerës, aplikimit të taksës doganore, gjithashtu për qumësht rreth 17%”, ka thënë Stavileci.

Burimi: Trt 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne