Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretin e Metës, Kodi Zgjedhor të enjten për rivotim në Kuvend

Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar sot dekretin e Metës për kthim në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Nga 17 anëtarë prezentë, 15 votuan kundër dekretit kurse vetëm 2 pro, Ardiatik Alimadhi dhe Korab Lita.

Pas një debati për më shumë se 2 orë, mazhoranca i ka qëndruar bindjes se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhen miratuar që të fillojë puna për përgatitjen e zgjedhjeve të 25 prillit të 2021.

Këshilltari i Presidentit Meta, Bledar Dervishaj, i pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve kërkoi pranimin e dekretit të Presidentit si dhe një pritje të opinionin të Komisionit të Venecias që do u përgjigjet 8 pyetjeve të ngritura.

”Do dëshiroja të komentoja, dy qasje të dy deputetëve. Do respektoj qëndrimin tuaj. Presidenti siç e ka shprehur, në 21 tetor i është drejtuar Venecias me një kërkesë që tashmë Kuvendi e disponon me 8 pyetje. Janë ato pyetje siç një nga deputetët e tha për të bërë një lexim objektiv nga një aktor i paanshëm, ndërkombëtar, autor i kodit të praktikave të mira. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, Presidneti i është drejtuar autorit të këtyre praktikave për të marrë opinion.
Presidenti vlerëson se pas kthimit në Kuvend, mazhoranca duhet të reflektojë. Duke siguruar njëkohësisht opinionin final të Venecias dhe duke thirrur dialog në Këshill Politik. Prandaj kërkojmë pranimin e dekretit dhe pritjen e Komisionit të Venecias. ”- tha Bledar Dervishaj.

Tashmë Kodi Zgjedhor siç deklaroi dhe Rama do të shkojë në Kuvend të enjten për t’u rivatuar nëpërmjet rrëzimit ose jo të dekretit të Metës./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne