Komisioni i Venecias: Presidenti tejkaloi kompetencat, shkarkimi mund të cenojë unitetin

Komisioni i Venecias mendon se Presidenti “i tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese” kur anuloi dhe shtyu zgjedhjet e 30 qershorit, sipas një projekt-opinioni të rrjedhur në media, që mban datën 29 shtator.

Pesë ekspertët e Komisionit shtojnë se megjithatë tejkalimet e Presidentit mund të mos jenë “shkelje serioze” që të justifikojnë shkarkimin e tij.

Nëse janë apo jo “shkelje serioze”, këtë e përcakton Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese, sipas projekt-opinionit të Komisionit të Venecias. Më tej ata shprehen se, edhe nëse arrihet në përfundimin se Presidenti ka kryer “shkelje serioze”, kjo “nuk duhet të çojë domosdoshmërisht në shkarkimin” e tij, nëse do të merrej parasysh ekullibri i pushteteve.

Në përgjigje të kërkesës së Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, Komisioni arriti në përfundimin se Presidenti mund t’i anulojë zgjedhjet vetëm në një situatë kur përmbushen kriteret për një gjendje të jashtëzakonshme. Sipas tyre, ky nuk ishte rasti në Shqipëri.

Gjithashtu, nëse do të kishte pasur konsensus politik për anulimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve, kjo mund të krijonte një bazë ligjore, por as kjo nuk ndodhi.

Ky mendim i Komisionit të Venecias merr parasysh edhe deklarat e Presidentit se e kishte bazuar vendimin për anulimin e zgjedhkjeve edhe tek informacioni nga shërbimi sekret se godina e Kuvendit mund të digjej. Komisioni thotë se Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mendonte se situata ishte “e menaxhueshme” dhe nuk kishte asnjë rrezik që kuvendi të digjej.

Projekt-opinioni kujton se shtyrjet e zgjedhjeve në të shkuarën janë bërë me konsensusin e partive politike, gjë që nuk ndodhi këtë herë.

Komisioni i Venecias sjell në vëmendje se vendimi i Presidentit u mor pasi ofroi në mënyrë të përsëritur mbështetjen dhe ndihmën e tij që shumica dhe pakica të arrinin një marrëveshje. “Qëllimi i Presidentit ishte të parandalonte zgjedhjet jokonkurruese, pa pjesëmarrjen e partive opozitare,” – shkruhet në projekt-opinion.

Gjithashtu, Komisioni sqaron se veprimet e Presidentit treguan se ai nuk kishte qëllim të shtynte në një afat të pacaktuar zgjedhjet, dhe se ai nuk ndërmorri ndonjë veprim për të ndaluar organizimin e zgjedhjeve.

Për këto dhe të tjera arsye, Komisioni pohon se veprimet e Presidentit mund të mos jenë shkelje “mjaftueshëm serioze” sa të kërkojnë shkarkimin e tij.

Ai pohon se vendimin përfundimtar për shkarkimin e Presidentit e ka Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese, por sugjeron se Kuvendi mund të mendojë nëse shkarkimi do t’i ulte apo do t’i rriste tensionet në vend, apo nëse ky shkarkim do të dëmtonte ekuilibrin e pushteteve, ndërkohë që parlamenti dhe pushteti lokal janë në zotërimin e një partie.

Së fundmi, Komisioni i Venecias shtron pyetjen nëse shkarkimi i Presidentit do t’i shërbente unitetit të popullit dhe nëse do t’ia rriste besueshmërinë Shqipërisë në botë./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne