Komunitetet fetare në Shkodër japin mesazhe të përbashkëta kundër fenomeneve negative

Komunitetet Fetare në Shkodër (Myftinia, Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse) kanë qëne bashkë në mesazhet që kanë përcjellë kundër drogës, bixhozit, fajdeve dhe lojrave te fatit.

Apeli i komuniteteve fetare ka qenë i drejtpërdrejtë për të gjithë instancat, për qeverinë shqiptare, për të gjithë institucionet që të reagojnë kundër këtyre fenomenve të cilat po dëmtojne shoqërinë, në mënyrë të veçantë familjen.

Gjatë këtij takimi ndërfetar me temë: “Droga, fajdet dhe lojrat e fatit – sfida që nxisin besimet”, ku prezantonin drejtuesit kryesorë të tre komuniteteve fetare të Shkodrës, prefekti i Qarkut Shkodër, drejtori i policisë, kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve, intelektualë dhe besimtarë të shumtë, u dhanë mesazhe të shumta të dobishme, të cilat kishin të bëjnë për vëmendjen e rinisë dhe mbarë shoqërisë shqiptare për të mos rrëshqitur në kurthet e shejtanit, si dhe për t’u larguar nga ndalesat hyjnore, përhapja e së cilave e shkatërron jetën dhe e kthen njeriun në skllav të së keqes.

Fillimisht dhanë mesazhet e tyre, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, Arqipeshkvi Shkodër-Pult, Mons. Angelo Massafra dhe Famulltari i Kishës Ortodokse, At Nikolla Petani.

Myfti i Shkodrës: “…Jam alarme për të cilat duhet të shqetësohen edhe institucione të ndryshme shtetërore që kanë për detyrë morale dhe qytetare, mbrojtjen e tabanit kombëtar nga degjenerimi, korrupsioni, shthurja dhe imoraliteti…”.

Arqipeshkvi i Shkodrës: “…Nuk do të mbulojë të gjithë problematikën, por gjithsesi do të jetë e frytshme nëse do të sensibilizojmë personat vullnetmirë që të mos mbyllim sytë në lidhje me një temë kaq delikate…”.

Famullitar i Kishës Ortodokse: “…Nëse ky fenomen nuk parandalohet në kohë, është një rrezikshmëri e madhe për shoqërinë dhe familjet tona…”.

Më pas, u mbajtën kumtesat e rastit, nga teologu Idmir Plaku, At Nikolla Petani dhe dom Marian Gega.

Në kumtesat e pasura me argumente dhe mesazhe të qarta, u vu theksi te dëmet e mëdha që sjell përhapja e drogërave, fajdet, lojrat e fatit dhe ndalesat e tjera hyjnore, të cilat po marrin jetë njerëzish, po dëmtojnë ekonomitë botërore, po shkatërrojnë familje e po mbajnë peng zhvillimin e natyrshëm të individëve që kanë rënë në batakun e tyre.

Gjatë takimit ndërfetar u shpreh mirënjohje për bashkëpunimin ndërfetar në organizimin e tubimeve të tilla dhe dhënien e mesazheve të urta dhe qytetëruese, që ndërtojnë urat e të mirës dhe thërrasin drejt paqtimit me Zotin Fuqiplotë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne