Komuniteti egjiptian në Kosovë përpiqet të ruajë identitetin

Komuniteti egjiptian në Kosovë, prania e të cilit në Ballkan njihet që nga periudhat e lashta dhe që jetuan në këto troje edhe në kohën e Perandorisë Osmane, sot vazhdon ekzistencën përkundër numrit të vogël të popullsisë, shkruan Anadolu Agency (AA).

Shpeshherë të ngatërruar me romët, egjiptianët bënë përpjekjet e para për t’u njohur si komunitet që në periudhën e ish-Jugosllavisë dhe në këtë mënyrë synuan pengimin e konfuzionit dhe ruajtjen e identitetit të tyre.

Përgjatë viteve, egjiptianët tentuan të njihen përmes organizatave joqeveritare, partive politike dhe iniciativave të ndryshme, ndërsa edhe sot bëjnë përpjekje për të ruajtur ekzistencën e tyre.

Me një popullsi prej 12 mijë frymë, apo 0,7 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës, sfidat kryesore të jetës së përditshme të këtij komuniteti janë rritja e përfaqësimit politik, nga njëra anë, dhe aspekti ekonomik, arsimor dhe shëndetësor si nevoja elementare, nga ana tjetër.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 vuri në pah edhe flamurin shtetëror, hartën e Kosovës bashkë me gjashtë yje që simbolizojnë komunitetet që jetojnë në Kosovë, ndërsa njëri nga yjet e flamurit të Kosovës është edhe komuniteti egjiptian.

Egjiptianët, që në Kosovë njihen me shkurtesën “RAE” së bashku me komunitetin rom dhe atë ashkali, i përkasin në përgjithësi fesë islame dhe flasin gjuhën shqipe.

“Komuniteti egjiptian jetoi i vetmuar brez pas brezi”

Historiani nga Shqipëria Luan Dino, i cili në Kosovë ka ardhur për t’iu bashkangjitur disa aktiviteteve për të shënuar ditën e komunitetit egjiptian që zyrtarisht shënohet më 24 qershor, tha për AA se egjiptianët, të cilët në Ballkan kanë ardhur para dhe pas erës sonë, kanë jetuar të vetmuar.

Dino thotë se historikisht ky popull është marrë me farkëtari dhe se ata njihen si zanatçinj të mirë në këtë fushë, kjo për arsye se, siç thotë Dino, farkëtaria ka lindur pikërisht nga vendi i origjinës së tyre, Egjipti.

“Kjo popullsi, duke qenë me një kulturë të lashtë, duke qenë një popullsi e qetë, punëtore, kurrë nuk ka dashur të nënçmohet dhe të përbuzet. Ajo ka jetuar brez pas brezi e vetmuar, brenda për brenda guaskës së saj”, thotë Dino.

Zëri i egjiptianëve në Kuvendin e Kosovës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, nga ana tjetër, thotë se Kosova ka krijuar bazë të lakmueshme ligjore që u jep të drejta të shumta komuniteteve, por, sipas tij, në praktikë nuk ndodhë e njëjta.

Duke vënë në dukje se 70 për qind e këtij komuniteti jeton në diasporë, Berisha shprehet se mundësia e ofruar që pakicat të përfaqësohen në kuvend është një gjë e mirë për ta.

Megjithatë, siç thotë ai, komuniteti nuk e ka atë “gjendje që është në letër” dhe shton se kjo gjë i bën të mos ndihen mirë.

Historia e egjiptianëve në Ballkan

Nga ana tjetër, në një raport historik të financuar dhe menaxhuar nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës, çështja e identitetit, etno-kulturës dhe e historisë së egjiptianëve të Ballkanit konsiderohet si një nga problemet më të vështira shkencore për t’u zbardhur tërësisht.

Sipas raportit i cili përmbledh zhvillimin e tyre që nga kohërat e lashta, egjiptianët në Ballkan kanë ardhur në kohën e fillimit të përdorimit të hekurit gjatë sundimit të faraonit egjiptian Ramsesi II (1279-1213 para erës sonë), i cili për shkak të hekurit është përhapur në Mesdhe, Anadoll dhe Ballkan.

“Arkeologjia siguron dëshmi për ekzistencën e njerëzve me origjinë egjiptiane në Ballkan”, thuhet në dokument, ku shtohet se kultet dhe monumentet egjiptiane kanë qenë tejet të pranishme në Ballkan gjatë Perandorisë Romake.

Ndërkaq, në periudhën osmane, ky komunitet identifikohet si “Kopt”, thuhet në këtë punim, në të cilin theksohet se ata kanë pranuar fenë islame dhe kanë praktuar një mënyrë statike të jetesës “të lidhur për një spahi”.

Dokumenti thekson se egjiptianët flasin gjuhën e mjedisit ku jetojnë dhe për këtë arsye ekzistojnë dallime gjuhësore mes tyre, ndërsa shpesh ngatërrohen me romët për shkak të ngjyrës së lëkurës.

“Përpjekje për deklarim dhe njohje të identitetit egjiptian janë regjistruar në Shqipëri (1945), Bullgari (1955) dhe Kosovë (1961), por pa organizim serioz dhe reagime”, thuhet më tej në këtë dokument.

Lufta e tyre e gjatë, shkruhet në raport, përfundoi me sukses në regjistrimin e vitit 1991, kur aktivistët egjiptianë arritën t’i bindnin autoritetet jugosllave që kombësia egjiptiane të përfshihet në regjistrim, duke e njohur kështu ekzistencën e tyre. Në atë kohë, nga Kosova janë mbledhur rreth 13.000 nënshkrime të qytetarëve.

Ndryshe, 24 qershori shënohet si dita kombëtare e egjiptianëve në Kosovë, sepse atë ditë në vitin 1990, një lidhje e formuar në Ohër vendosi të punojë intensivisht për të siguruar mundësinë e regjistrimit të popullsisë në vitin 1991./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne