Koncesionet me PPP përkeqësojnë klimën ndaj biznesit, Rama nën goditjen e FMN e BB

Kompanitë e huaja, duke parë se të gjitha punët e mëdha publike me vlerë miliona euroshe qeveria e Ramës i jep vetëm për bizneset afër saj, kanë nisur të braktisin pjesëmarrjen me projekte investuese në Shqipëri.

Kompanitë serioze të huaja si dhe ato shqiptare, po eksportojnë kapitalet investuese jashtë vendit dhe kjo ka sjellë dhe renditjen e Shqipërisë në kuotat më të ulta në rang botëror për krijimin e kushteve për të bërë biznes.

Ky ka qënë një shqetësim i vazhdueshëm i FMN dhe Bankës Botërore, që paralajmëruan ditë aspak të mira për Shqipërinë, për shkak të këtij qëndrimi të Ramës ndaj biznesit.

Kështu vendi ynë u rendit në vendin e 82-të në rang global për klimën e të bërit biznes nga raporti i Bankës Botërore “Doing Business 2020”, me një rënie 19 vende krahasuar me vitin e kaluar. Përveçse Shqipëria është e fundit në Europë, renditet edhe ndër vendet me përkeqësimin më të lartë të klimës së biznesit brenda një viti.

Teksa shihet në terma teknikë, nga 10 indikatorët e marrë në studim shihet se përkeqësimin më të madh vendi ynë shënoi në mbrojtjen e investimeve. Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit në vendin e 26 për mbrojtjen e investimeve, ndërsa këtë vit u rendit në vendin e 111.

Ky është indikatori më i rëndësishëm për investitorët e huaj. Për një vit, shihet se vendi ka rënë në renditje me 85 vende në raport me një vit më parë.

Përkeqësim shënoi edhe indikatori tjetër që ka të bëjë me investimet, “mbrojtja e kontratave”. Vendi ynë humbi këtë vit 22 vende në renditje në raport me vitin e kaluar.

Vendi ka shënuar përkeqësim në të 9 indikatorët nga 10 gjithsej. Banka Botërore raportoi se Shqipëria pati përmirësim në besueshmërinë e furnizimit me energji.

Sjellja e Ramës ndaj biznesit, duke zhdukur konkurrencën e transparencën përmes koncesioneve me PPP, pritet që të ulë akoma më tej besueshmërinë e investitorëve ndaj Shqipërisë, duke sjellë njëherësh dhe largimin e biznesit serioz nga investimet në vend./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne