Bota

Konferenca për Libinë bie dakord për një armëpushim

Pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare për Libinë në Berlin ranë dakord për një armëpushim për këtë shtet të Afrikës Veriore. Dakordimi u arrit pas negociatave shumëorëshe të dielën në mbrëmje. Dakordimin pas rreth tetë orësh në Kancelarinë Federale e njoftuan kancelarja gjermane Angela Merkel dhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Pjesëmarrësit në konferencën e Libisë ranë dakord për një plan. “Ne mund të konstatojmë që të gjithë pajtohemi që duam të respektojmë embargon e armëve”, tha kancelarja Merkel në Berlin. Marrëveshje ka gjithashtu për faktin se nuk ka zgjidhje ushtarake të konfliktit.

Italia është e gatshme të marrë përsipër një rol drejtues në mbikqyrjen e armëpushimit në Libi. Këtë ua tha gazetarëve kryeministri Giuseppe Conte.

Një organ në Libi, sipas ministrit të Jashtëm rus Lavrov do të monitorojë armëpushimin.

Projekti i komunikatës përfundimtare, i bërë i njohur më parë, u bënte thirrje vendeve të huaja të “përmbahen e të mos ndërhyjnë” në konflikt, të rifillojnë bisedimet për një armëpushim më konkret, si dhe të ndërmarrin hapa drejt rifillimit të një procesi politik për të arritur paqen në rajon.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara të dyfishojnë përpjekjet e tyre për një pezullim të qëndrueshëm të armiqësive, deeskalim dhe për një armëpushim të përhershëm,” thuhej në projektin e komunikatës përfundimtare.

Projekti i komunikatës përmbante 55 pika. Ai bënte thirrje më tej edhe që të gjitha palët t’u japin fund akteve armiqësore kundër objekteve të naftës në Libi. Thirrja erdhi pasi forcat aleate të Haftarit vunë nën kontroll të premten portet e naftës në Libinë lindore.

Kryeredaktorja politike e DW Michaela Küfner tha se rezervat e naftës në Libi qenë një pikë qendrore kontestimi për palët e përfshira në bisedimet e së dielës.

Erdogani e quan samitin “hap të rëndësishëm”

Para udhëtimit për në Berlin, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha që shpresonte se bisedimet në Berlin do të ndihmonin në forcimin e armëpushimit të brishtë në Libi.

“Ne e shohim samitin e Berlinit si një hap të rëndësishëm në rrugën për të forcuar armëpushimin dhe një zgjidhje politike,” u tha Erdogani gazetarëve.

Turqia mbështet fuqimisht qeverinë e Sarrajt në Tripoli dhe së fundmi ka zhvendosur trupa në Libi – një veprim që u dënua nga shumë në Evropë.

Përveç Erdoganit, në takim morën pjesë Presidenti rus Vladimir Putin, Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo, Kryeministri britanik Boris Johnson, Presidenti drancez Emmanuel Macron dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Përpara konferencës, von der Leyen tha se krahu ekzekutiv i BE-së është “plotësisht i përkushtuar” për të mbështetur rezultatet e konferencës në Berlin dhe se do të mbështesë përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve.

OPINIONE