Konfirmimi i Regleta Panajotit – tjetër rast i standardit të dyfishtë të vetingut

Nga Alba Mborja

Një nga shqetësimet e procesit të vetingut ka qënë zbatimi i standarteve të dyfishta nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në artikuj të mëparshëm, kemi analizuar disa raste të standartit të dyfishtë të KPK, për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Rasti që do të paraqesim më poshtë është ai i Regleta Panajotit, gjyqtare në Tiranë dhe kandidate për Gjykatën Kushtetuese, e cila u konfirmua disa javë më parë nga shkalla e parë e vetingut.

Konfirmimi i gjyqtares Panajoti përbën një shkelje flagrante të standarteve që ka vendosur dhe ndjekur KPK dhe Kolegji i Apelimit në raste të ngjashme.

Në vendimin e zbardhur rezultojnë tre probleme kryesore me pasurinë e zonjës Panajoti, për të cilat KPK ka vendosur shkarkimin e magjistrantëve në raste e mëparshme.

Mosdeklarimi i kursimeve

Mbas hetimit të kryer nga KPK, rezultoi se zonja Panajoti nuk kishte deklaruar kursimet e saj në vitin 2006 dhe 2016. Zonja Panajoti nuk arriti të provonte me anë të dokumentave ligjshmërinë e kursimeve të saj.

Sipas ligjit “Për deklarimin e pasurive” zonja Panajoti kishte detyrim ligjor të deklaronte kursimet e saj vit mbas viti. Pavarësisht kësaj, Komisioni e anashkaloi këtë fakt me argumentin se kandidatja për Gjykatë Kushtetuese kishte kuptuar në mënyrë të gabuar ligjin.

Në një rast të ngjashëm u Komisioni mbajti një qëndrim krejt të ndryshëm, duke u shprehur se ligji është mjaft i qartë në lidhje me deklarimin vit mbas viti të kursimeve . Prokurori Fatmir Lushi u shkarkua me argumentin se nuk kishte deklaruar kursimet e tij, të cilat kishin shërbyer për blerjen e një apartamenti në vitin 2014. Në vendimin për zotin Lushi, komisioni shprehet:

“Fakti që subjekti pretendon se ka rregulluar deklarimet në vitin 2014, për shkak se në atë vit është qartësuar koncepti ligjor për të deklaruar gjendjen cash, nuk qëndron, për arsye se, fryma e ligjit ka parashikuar se, detyrimi ligjor i subjekteve deklarues për deklarimin e gjendjes në cash, nis para fillimit të detyrës, si dhe çdo vit(…). Sipas kësaj dispozite( Ligji “Për Deklarimin e Pasurive”), subjekti duhej të deklaronte vit pas viti gjendjen e likuiditeteve në cash, për më tepër që subjekti i rivlerësimit këtë gjendje e pretendon si burim krijimi të pasurisë.”

Të ardhurat nga emigracioni

Gjyqtarja Panajoti kishte deklaruar 3.5 milionë lekë të fituara gjatë kohës që ajo ishte emigrante në shtetin grek. Ajo nuk arriti të provojë me dokumentacion të plotë ligjshmërinë të këtyre të ardhurave, me argumentin se shteti grek e kishte të parregulluar punësimin e emigrantëve.Megjithatë, ajo paraqiti si provë për të vërtetuar ligjshmërinë e 3.5 milionë lekëve, një llogari bankare të hapur në vitin 1998, në të cilën pretendon se ka depozituar paratë nga emigracioni.

Komisioni pranoi pamundësinë e Panajotit provuar se të ardhurat nga emigracioni janë të ligjshme me arsyetimin se emigrantët në atë periudhë (1991 – 2004) emigrantët hasnin probleme të shumta në lidhje me deklarimin e të ardhurave.

Për të njëjtën situatë, KPK shkarkoi nga detyra prokurorin Dritan Rreshka duke argumentuar se ai nuk arriti të provonte me dokumentacion të plotë të ardhurat nga emigracioni.

“Për sa i përket pretendimit të subjektit të rivlerësimit, ai ka emigruar në Greqi në vitet 1997 deri në vitin 2002, ku ka punuar në periudha të ndryshme sezonale (punësim sipas sezoneve në ndërtim dhe bujqësi) dhe ka realizuar të ardhura në vende të tilla si Katerinë, Zakinthos etj. dhe të ardhurat e krijuara nga kjo periudhë punësimi, Komisioni çmon se ky pretendim nuk qëndron pasi subjekti i rivlerësimit nuk mundi të provojë bindshëm të ardhurat e marra nga emigracioni me dokumentacion ligjor justifikues.” shkruhet në vendimin e KPK.

Edhe pse zoti Rreshka arriti të mblidhte dokumentacionin e kërkuar, Komisioni refuzoi ti merrte me argumentin se kishte kaluar afati i dorëzimit.

Gjithashtu edhe në rastin e zonjës Antoneta Sevdari, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e saj për arsye se nuk arriti provonte të ardhurat e bashkëshortit të saj gjatë kohës që punonte si inxhinier në Arabinë Saudite.

Fitim i pashpërndarë

Zonja Panajoti deklaroi se ka në pronësi një apartament 104 metra katror në Tiranë. Sipas saj, të ardhurat për blerjen e këtij apartamenti vinin pjesërisht nga biznesi i të shoqit në Gjirokastër. KPK gjeti se kompania në fjalë nuk kishte ndarë fitim. Në vendim KPK i konsideron të ligjshme këto të ardhura me arsyetimin se:

“Fakti se nuk ka të dhëna për fitimin e realizuar në periudhën (1996 – 1997) dhe shpërndarjen e fitimit të realizuar, nuk do të thotë se bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit nuk ka ushtruar veprimtari të ngjashme me ato të një marrëdhënieje punësimi dhe nuk ka përfituar të ardhura të ligjshme, nisur kjo edhe nga vlera e të ardhurave të pretenduara. Në rastin konkret, Komisioni ka parasysh edhe ngjarjet e vitit 1997, të cilat përbëjnë një fakt të njohur botërisht, lidhur me djegien apo mungesën e dokumentacionit, si dhe mosfunksionimin si duhet të administratës publike.”

Ndërkohë për të njëjtin fakt, KPK vendosi shkarkimin e anëtarit të gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo.

E motra e zotit Lulo ishte ortake në disa shoqëri. Ajo i kishte dhuruar disa pasuri (asete) zotit Lulo, të cilat KPK i konsideroi të paligjshme. Komisioni argumentoi se shoqëria ku ajo ishte ortake, nuk kishte shpërndarë fitim, kështu nuk provohet ligjshmëria e pasurisë së dhuruar.

“Komisioni arsyeton se nga dokumentacioni i dorёzuar nga ana e subjektit të rivlerësimit (Fatos Lulo)nuk provohet nëse këto tё ardhura janё marrë, kur dhe si janё marrё dhe, çfarё ёshtё mё e rёndёsishmja, nuk ka dokument qё tё vёrtetojё nёse kёto tё ardhura janё deklaruar apo nёse janё paguar detyrimet tatimore. Komisioni ka vёrtetuar me anё tё shkresёs sё ardhur nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranё se Znj. D. L rezulton ortake nё 5 shoqёri, por qё nuk ka pasur tё ardhura apo tё ketё shpёrndarё dividendë pёr kёto aktivitete.”

Komsioni qartazi ka zbatuar standarte të ndryshme në raste të ngjashme me zonjën Panajoti. Konfirmimi i zonjës Panajoti në këto kushte, cënon besimin e publikut jo vetëm mbi nga organet e vetingut por vë në pikëpytje kandidaturën e saj për Gjykatë Kushtetuese./ exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne