Konflikti me Kishën Ortodokse Serbe, tensionohet rrezikshëm situata në Malin e Zi

Direkt nga kriza e koronës, e cila nuk ka marrë akoma fund zyrtarisht, Mali i Zi është kthyer aty ku ka qenë dy muaj më parë, në tensionet ndërmjet pushtetit dhe kishës ortodokse serbe (SPC), të cilat u përshkallëzuan në përleshjet në rrugët e shumë qyteteve. Shkak qe një liturgji në Nikshiq me 12 maj, në festën e Shën Vasilit të Ostrogut, pas së cilës policia arrestoi peshkopin e kishës ortodokse serbe Joanikije dhe shtatë priftërinj.

Ata akuzohen se me grumbullimet masive, por të ndaluara kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve, ndërsa epidemia vazhdon. Joanikije mbrohet duke thënë se nuk ka thirrur besimtarë në liturgji, por se ata kanë ardhur vetë dhe janë ndodhur aty.
Tensione të reja

Në parlamentin e Malit të Zi deputetët e Fontit opozitar Demokratik (DF), të drejtuar nga Andrija Mandiç, bënë hapur thirrje për liturgjinë, për këtë kanë marrë edhe kallëzime penale. Për shkak të arrestimit të Joanikijes në disa qytete ndodhën përplasje të besimtarëve të kishës ortodokse serbe me policinë. 26 policë u plagosën dhe shumë qytetarë u plagosën apo u rrahën. Më shumë se 50 prej tyre u arrestuan.

Përshkallëzimi ka sjellë tension të ri në shoqëri dhe ka shtuar acarimin dhe është e vështirë të përcaktosh se ku do të çojë e gjitha kjo”, thotë analisti politik Sergej Sekuloviç, i cili megjithatë shpreson se do të fitojë arsyeja. “E qartë është, se një përçarje e tillë shoqërore mund të zgjidhet vetëm me kompromis”, shton Sekuloviç.

Edhe Vladan Zhugiç, gazetar politik me përvojë dhe kolumnist i gazetës “Vijesti” thotë se në këtë moment është e vështirë të ngresh hipoteza se si do të shkojnë gjërat. “Ajo që më duket e e sigurtë, është se problemet e identitetit e ndajnë përsëri Malin e Zi dhe se kjo situatë e tensionuar dhe e rrezikshme do të zgjasë gjatë”, thotë Zhugiç. Si argument ai sjell faktin se Malin e Zi e presin zgjedhjet parlamentare në muajt e ardhshëm, regjistrimi i popullatës në pranverën e vitit 2021, dhe se kriza ekonomike është në prag.

“Të gjitha vijnë nga dy fenomeneve të pabesueshme dhe të dëmshme – qeveria, që fut kokën në rërë para problemeve të shumta të Malit të Zi, dhe një pjesë e opozitës, e cila ndodhet ende në pozicionet politike të viteve 90-të. Përvoja tregon se nga këto situata përfitojnë vetëm pushteti nën drejtimin e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe pjesa radikale e opozitës, e drejtuar nga Fronti Demokratik”, mendon Zhugiç.

Kriza pa fund

Për shkak të konflikteve në rrugë kryeministri Dushko Markoviç iu drejtua kombit, duke thënë se Mali i Zi është sulmuar brutalisht nga ekstremistët dhe se kisha ortodokse serbe i ka bërë thirrje qytetarëve për grumbullim të ndaluar, dhe se „nën mantelin e të drejtave dhe lirive fetare, ka rrezikuar shëndetin publik”. Nga ana tjetër mitropoliti i Malit të Zi dhe Bregdetit Amfilohije fajësoi policinë se ka rrahur fëmijët gjatë protestave dhe iu lut autoriteteve, që të lirojnë Joanikijen dhe “nesë nevojitet, ta arrestojnë atë vetë”.

Akuzat e Kishës Ortodokse Serbe

Konfliktet në mes Kishës Ortodokse Serbe dhe shtetit vazhdojnë që prej fundit të vitit të kaluar, kur qeveria miratoi ligjin për lirinë e fesë. Kisha ortodokse serbe thotë se me këtë ligj asaj i rrëmbehen kishat dhe manastiret. Tensionet kanë vazhduar edhe gjatë epidemisë, sepse kisha ka pretenduar se qeveria e diskriminon atë me masat e rrepta kundër koronavirusit. Kështu priftërinjtë janë thirrur për t‘u marrë në pyetje, ndër ta edhe vetë Amfilohije.
Pyetja e të gjitha pyetjeve, që shtrohen tani, është: a do të vazhdojnë liturgjitë e protestës kundër ligjit, të cilat u ndërprenë nga koronavirusi? Edhe pse zyrtarisht e ndaluar, ithtarët e kishës ortodokse serbe ditët e fundit janë mbledhur në disa qytete duke thirrur: „Nuk i japim vendet e shenjta”, që është slogani i luftës kundër ligjit për të cilin debatohet. Kisha ortodokse serbe njofton vazhdimin e liturgjive pas epidemisë, por autoritetet shëndetësore kanë porositur qartë, se grumbullimet publike në Mal të Zi do jenë të ndaluara për një kohë të gjatë për shkak të frikës nga rishfaqja e virusit. Që tani këtu priten tensione të reja.

Sekuloviç thotë, se është e vështirë të vlerësojë, nëse qeveria do të vazhdojë ndalimin e grumbullimeve. “Ka mundësi që shteti të këmbëngulë në këtë, sepse do të përpiqet të tregojë forcë dhe vendosmëri. Por nga ana tjetër qeveria do të shpallë zgjedhjet deri në tetor dhe është e vështirë që ato të imagjinohen pa tubime masive. Nëse së shpejti nuk do të ketë një dialog serioz – mund të thuash – se një numër i madh i qytetarëve do të përfundojnë në paraburgim për shkak të këtyre grumbullimeve, gjë që është absurde”, mendon Sekuloviç.

Zhugiç thotë se nga ana tjetër kur shikon veprimtarinë politike të qeverisë dhe pjesës më të madhe të opozitës, situata pas miratimit të ligjit për lirinë fetare e ka kthyer Malin e Zi me të vërtetë në periudhën e para referendumit.
“Freedom House” e klasifikoi së fundmi Malin e Zi në grupin e „regjimeve hibride”, ku ishte vendosur për herë të fundit në vitin 2003. Dhe kjo nuk ka mundur të befasojë askënd, sepse prej vitesh biem në vlerësimet e të gjitha raporteve relevante”, thotë Zhugiç.

Fillimi i fushatës zgjedhore

Ndërkohë tensionet janë ndezur edhe në parlament, ku Mandiç paralajmëroi se “nëse Joanikije mbetet në burg, qeveria të përgatisë lirisht uniformat”. Ai edhe në fund të vitit që shkoi, kur u miratua ligi i diskutueshëm, u bëri thirrje “shokëve në luftë” dhe kërcënoi me “nxjerrjen e armëve të fshehura”. Për këtë nuk u procesua kundër tij, ndërsa tani qeveria e egërsuar arrestoi përkrahësit e opozitës dhe të kishës ortodokse serbe, edhe për komentet dashamirëse në Facebook.

Zhugiç mendon se të gjitha këto zhvillime mund të interpretohen edhe në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. „Fronti Demokratik dhe Mandiçi luftojnë për t‘i marrë nga dora Amfilohijes bajrakun për ‘mbrojtjen e vendeve të shenjta’ dhe udhëheqësinë në elektoratin proserb. Duket sikur as Frontit Demokratik dhe as Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet nuk i pëlqen vazhdimi i liturgjive në mënyrën se si kanë qenë para pandemisë së koronavirusit. PDS-së për arsye se një pjesë e elektoratit të saj janë besimtarë të kishës ortodokse serbe, ndërsa DF nuk dëshiron, që në zgjedhje të varet nga Amfilohije, reputacioni dhe ndikimi i të cilit është rritur për shkak të rezistencës së papritur ‘ghandijeske’ ndaj vendimit të qeverisë për të miratuar dhe zbatuar ligjin për lirinë fetare. Tani FD e shtyn Amfilohijen në zjarr, ndërsa PDS i hedh benzinë”, thotë Zhugiç.

Zgjedhjet si katalizator

Edhe Sekuloviç mendon se një pjesë e mirë e arsyeve për ngjarjet e fundit duhen kërkuar në zgjedhjet e ardhshme, sepse fushata tashmë ka filluar. “Qeveria tani po përpiqet të përfitojë nga një luftë efektive kundër koronavirusit, ndërsa opozita po përpiqet të kthehet, se ka qenë në defensivë gjatë epidemisë. Qeveria po u thotë qytetarëve, se ata janë të vetmit që mund të ruajnë fitoret e arritura. Nga ana tjetër FD në opozitë po përpiqet të instalohet si mbrojtësi më i fortë i serbizmit në Mal të Zi”, shpjegon Sekuloviç.

Sa u përket shanseve në zgjedhjet e ardhshme, Sekuloviç i jep një përparësi të vogël partisë në pushtet. “Më duket se dinë çfarë duan, platforma e tyre është mjaft e qartë, dhe veprojnë kompaktë. Nga ana tjetër opozita, si rezultat i grindjeve kronike dhe i diferencave ideologjike, deri tani nuk ka arritur ta artikulojë shumë mirë atë që dëshiron”, mendon Sekuloviç dhe shton se kompromisi lidhur me ligjin, për të cilin debatohet, tani është më larg se dy muaj më parë. “Eshtë e mundur qe edhe te njëra edhe te tjera palë të dominojë vlerësimi se është më mirë të hyjmë në zgjedhje me një polaritet të fortë shoqëror, ku të gjithë duhet të rreshtohemi në një rrafsh simbolik”, mendon ai.
Edhe Zhugiç beson se një kompromis midis pushtetit dhe kishës ortodokse serbe është ndoshta i pamundur tani në prag të zgjedhjeve: “Shpresoj se kjo të mos përfundojë si disa situata të mëparshme me protestat në Mal të Zi, qoftë të udhëhequr nga FD apo nga Amfilohije.” /DW/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne