Indrit Vokshi
1. “Europa” na ndau sepse na pa si osmanë. Europa e çertifikoi ndarjen sepse na paragjykoi si osmanë. Kjo është RRENE.
Në 2021 po hyja në Sllovaki dhe po bëja bisedë veçmas me një eksponent të partisë se Orbanit, zyrtar në Bruksel. Ai tha se kjo pjesa ka qenë e gjitha e jona. E humbëm luftën e parë, na copëtuan.
Në fakt Hungaria ka humbur shumë territore. As ishin muslimanë, as islamikë, as u paragjykuan si osmanë, ishin superkatolikë, mirëpo gjithësesi i copëtuan.
Cila “Europë” na ndau ne? Austri-Hungaria dhe Gjermania Perandorake, ishin me ne, ose ishin kundër copëtimit tonë. A nuk quhen Europë këta austro-gjermanët?
Ne na ndanë sepse fuqitë fituese, Francë e Britani do të shpërblenin satelitët e tyre, grekët dhe serbët. Nëse luftën do ta kishte fituar “Boshti”, austro-gjermanët, do të kishim përfituar ne dhe bullgarët, jo serbët dhe grekët.
Pra edhe ne aleatë me Europën ishim, thjesht qëlluam me Europën humbëse të luftës. Nuk është Europa një entitet i vetëm, kundër Perandorisë Osmane. Pse duan ta paraqesin sikur ishte Europa dhe Osmania? Është rrenë. Austri-Hungaria dhe Gjermania Perandorake ishin aleatët më të ngushtë të osmanëve. Në luftën 6 mujore të Çanakkalasë, ishin luftanijet gjermane me flamur osman, kundër Britanisë dhe Francës dhe, ato e shpëtuan Stambollin pa e marrë britaniko-francezët. Si komandantë lufte, bashkë me Enver Pashën, Xhevat Pashën dhe Mehmed Esad pashën shqiptar nga Janina, ishin edhe komandantët gjermanë Otto von Sanders dhe Otto Hersing.
Kjo përralla se na ndanë sepse ishim osmanë, ose na ndanë si ndëshkim ekskluziv veç për ne, pse u bëmë me Parandorinë Osmane, është INJORANCË dhe RRENË. Na ndanë siç ndanë hungarezët, gjermanët dhe austriakët; të trija këto shtete u zvogëluan, humbën territoret dhe u mbetën popullsi jashtë. Sepse ishin krahu humbës. Ishin Britani, Francë, ShBA në Luftën e Parë dhe e fituan luftën. Ndëshkimi për humbësit shkoi deri aty sa Franca propozoi ndarjen e Gjermanisë në tri shtete: Prusi, Bavari, Saksoni, me kufinj të ridefinuar. U propozua që perandori gjerman Vilhelm II të nxirret në gjyq dhe të dënohet me vdekje. Nuk pranoi Britania sepse nuk donte t’i jepte Francës atë fuqi në Kontinent. Dua të them ndëshkim po aq shembullor pati edhe për të krishterët europianë të cilët humbën luftën. Siç pati shpërblim për arabët muslimanë të cilët u radhitën në krahun franko-britanik. Ska lidhje as me fe as me kulturë. Dmth mos rreni.
2. Nëse nuk do të ishim me Perandorinë Osmane, Kosova, Maqedonia e shqiptarët në Mal të Zi, do të ishin në shtet të përbashkët. Ketë nuk mund ta quaj rrenë safi por hamendësim kalamajsh, argument të manipuluar, deformim me dashje.
Në vitet 1300-1400, Mërksha Zarkoviq, sundimtar serb, sundonte në Berat, Vlorë, Kaninë dhe Himarë. Përmenda Vlorë e Berat për ta shpjeguar shkurt se deri ku ishin futur serbët në territor. Serbët asokohe ishin në zenit në Ballkan, kudo ishin princët e tyre të cilët sundonin. Hiq Balshajt e Muzakajt të cilët ishin më të fortët dhe negocionin përmes fuqisë, familjet e tjera arbër kanë qënë përgjithësisht vasale të despotëve serbë. Ky është fakt. Perandoria Osmane çfarë bëri? I shkatërroi principatat serbe, shkatërroi edhe principatat tona të vogla. Kështu mori fund hegjemonia serbe në Ballkan.
Spo them se turqit na donin ne, ska lidhje kjo. Hegjemoninë serbe mund ta shkatërronin edhe anzhuinët francezë të Napolit, sepse ata e nisën projektin për të dalë në Kostandinopojë dhe në kuadër të këtij projekti mbështetën disa sundimtarë arbër si Andrea Muzaka II të cilin e njohën “Marshall të Albanisë”. Ata bile, anzhuinët, na nxorrën ne si entitet ndërkombëtar duke krijuar “Regnum Albaniae” në 22 shkurt 1272, mbretëria e vulosur nga Papa Gregori X. Mirëpo anzhuinët u dobësuan e u larguan. Osmanët i dhanë fund hegjemonisë serbe. Jo për ne, për vete.
Perandorinë Osmane shqiptarët e shfrytëzuan mirë e me leverdi. Ahmet pashë Dukagjini, nipi i Lekë Dukagjinit, u bë sanxhakbej i Ankarasë, bejlerbej i Anadollit (shefi i shefave), pastaj edhe kryeministër në Stamboll. Pas tij edhe shumë të tjerë u ngjitën në sundim, deri në sundimtarë të Egjyptit për 150 vjet. Shqiptarët u bënë me lek në krejt aksin Selanik-Beograd. U krijuan qytete si Gjakova, u zmadhuan Prizreni e Shkupi, doli Janina që quhej “Firencja e Ballkanit”, shqiptarët bënë lagjen e tyre të pasur në Stamboll “Arnaudkoj” etj. Dhe prej 500 mijë shqiptarë në 1400, dolëm 2 milion e 500 mijë në 1900. Në 500 vjet nuk kemi pësuar zvogëlim dhe rrudhje demografike, nuk kemi pësuar asimilim në ndonjë kombësi tjetër. Përkundrazi, jemi zgjeruar prej Egjypti në Beograd.
Kemi ndryshuar fenë por prapëseprapë jemi shqiptarë dhe ekzistojmë si dy shtete e gjysëm në Ballkan. Fenë e kanë ndryshuar edhe hungarezët, ata deri në vitin 1000 kishin fenë e tyre pagane, Shën Stefani i Hungarisë kishte emrin pagan Vajk, pastaj u bë Shën Stefan. Rusët e ndryshuan fenë, Vladimir Svetoslaviq u pagëzua i krishterë në fundvitet 900. Serbët e ndryshuan fenë në mesvitet 800 kur knjazi i kërkoi perandorit të Kostandinopojës ungjillizimin e principatës së tij. E të tjerë popuj kështu si rusët, hungarezët e serbët, përgjatë historisë e kanë ndryshuar fenë. Pse vetëm tek shqiptarët u dashka që ndërrimi i fesë të shihet si mëkat historik e tradhëti e madhe dhe turp që duhet shlyer? Le të mbajë secili fenë që pëlqen.
A do të ishim zgjeruar më shumë nëse sdo të na kishte pushtuar Perandoria Osmane? Ketë nuk e di askush. Mund të çliroheshin principatat arbër-epiriote e mund t’i dëbonin serbët t’i shtynin në Danub atje në Zika e Branishevë kufi me Rumaninë ku kishin eparkitë e para kishtare. Mund të fuqizoheshin serbët edhe më tej dhe t’i shndërronin arbërit në indigjenë që rrinë maleve, të na zhduknin krejt. Nuk e dimë, skemi si ta dimë. E kur nuk e dimë, nuk kemi pse themi se po të mos vinin ata osmanët, ne do të ishim shtet i madh me Maqedoni e me Kosovë brenda. Edhe mund të ishim, edhe mund të mos ishim. Nuk gjykohet e djeshmja me dëshirën e sotme.
Pse është i nevojshëm ky lloj manipulimi dhe pse duhet shpërndarë injorancë mbi historinë? Pse nuk iu jepet njerëzve një mendim i kualifikuar e cilësor?
3. Hoxhallarët shqiptarë iu bashkuan Ndre Mjedës e Gjergj Fishtës!
Pse trajtohen hoxhallarët shqiptarë si “vasalë” në ketë mardhënie? Ende pa lindur Mjeda e Fishta, kanë qenë Ymer Prizreni, hoxhë, Hasan Tasini, hoxhë, e të tjerë, ata që patën shpallur mëmvetësinë e shqiptarëve si entitet etnik, gjuhësor e kombëtar. Lidhja e Prizrenit në fazën e dytë u konsumua si përpjekje për autonomi shqiptare duke gjykuar se jemi popull veç e sjemi turq. Kush e drejtoi Lidhjen për autonomi? Hoxhë Ymer Prizrenit e Hoxhë Ahmet Korenica, komandant Sulejman Vokshi, lider Abdyl Frashëri.
Paraprijësit e nacionalizmit faktikisht, faktuar nga autorë gjermanë e britanikë, janë elita muslimane e pasur, sepse vetëm ata kishin kapacitetin ekonomik, intelektual dhe demografik për ta udhëhequr një projekt të tillë.
Fituan muslimanët e jo islamikët në Kongresin e Manastirit? Normal që ka pasur muslimanë anti-shtet, siç kanë qenë disa jomuslimanë të cilët synonin të na jepnin alfabet grek, siç kanë qenë disa të tjerë të cilët kishin projekt shtet me malazezët dhe synonin ardhjen e Malit të Zi deri në lumin Mat. Ata të cilët na donin me Greqi apo me Mal të Zi, si quhen? A ka ndonjë epitet për ata siç ka për këta “islamikë”?
Nuk ka asnjë mardhënie vasaliteti e nuk mund të thuhet se hoxhallarët “iu bashkuan atyre”, sepse hoxhallarët nuk ishin diçka e huaj për atë ide dhe qenkan bashkuar me “pronarët e idesë”. Kur ka mbërritur nacionalizmi ka mbërritur për të gjithë pa dallime feje. Hoxhallarët dhe bejlerët shqiptarë ishin vetë avangarda e asaj pune. Shih kush u bashkua në “Komplotin e Taksimit” për të avancuar shtetin shqiptar.
Pra “islamikët” e këtij janë minorancë e papërfillshme. Pse duhet futur në argument minoranca e papërfillshme? Sigurisht me qëllim për konflikt artificial. Këtu edhe një lëvizje “Dum Babën” e Haxhi Qamilit, u financua nga Italia për të rrëzuar princ Vidin. Gjeti Italia disa banda e i financoi. Pasi u vranë ata, askush nuk e mor, askush nuk i qau, pikërisht sepse janë minorancë e papërfilshme të cilët nuk vlejnë të futen në argument. Veç nëse synon t’i fusësh për konflikt kot.
Si përfundim, akti i Kongresit të Manastirit për alfabet latin nuk kishte lidhje me “aspiratë europiane kulturore”, ishte thjesht akt konsensusi, faciliteti dhe pragmatizmi. Në atë frymën që më pas përkrahu Ahmet Zogu në negociata me Vatikanin kur deklaroi se ne nuk i trajtojmë të krishterët si minoritet por, si shqiptarë me fe të ndryshme nga shumica; kemi shtet me bazë etnike jo fetare. Kongresi i Manastirit është produkt i kësaj ideje, idesë që kemi shtet me bazë etnike e jo fetare, si Greqia e si Serbia. Duke pasur ketë ide, alfabeti, nëse do të ishte latin apo arab, ishte thjesht akomodim i diçkaje, brenda idesë. Dhe ketë ide dihet kush e prodhoi e kush e përkrahu.
Edhe nëse do të caktonin alfabetin arab ose grek, kulturalisht sdo të ishte nami e as katastrofa. Ky tipi thotë se me alfabet arab nuk do të kishim kulturë e as letërsi; skenarin me alfabet grek nuk e trajton hiç. Jam kurioz çfarë mendon ky se do të ndodhte nëse do të kishin miratuar alfabet grek?
A e kuptoni çfarë mediokriteti? Çudi që arabët kanë letërsi dhe renditen tek kulturat e mëdha të njerëzimit, siç janë edhe indianët, kinezët etj. Pse nuk i paska penguar ata ai lloj alfabeti? Ç’ne që neve me alfabet arab do të shkonim në katastrofë? Del një tip këtu, suprimon një ndër gjuhët e cila përfaqëson një ndër kulturat kryesore të botës! Vetë Europa ka shkëmbyer me kulturën arabe pa asnjë lloj kompleksi. Sepse francezët, anglezët, gjermanët, italianët apo spanjollët, nuk kanë mendt dhe frustrimet e këtyre.
Mirë bënë që e vendosën latin, ska ndonjë gjë të keqe. Edhe me alfabet latin, prapëseprapë nuk kemi pasur e nuk po kemi ndonjë shkëlqim kulturor. Me alfabet latin po i shkruajnë budalliqet e po e përhapin injorancën ky dhe tipa të tjerë si ky. Mund ta përhapnin edhe me alfabet arab ose grek.
Pa dyshim ishte akt politik për tu futur në kulturën e atyre shteteve që ishin fuqi në ardhje. Akt politik pragmatist, siç kanë bërë shqiptarët në çdo kohë. Por pse duhet sharë e denigruar një gjuhë apo një kulturë si kultura arabe e cila ka themeluar qendra kulturore prej Irani deri në Spanjë? Cili është synimi i këtij manipulimi përmes thjeshtëzimit? Çfarë mund të jetë tjetër veçse përhapje e injorancës por përmes stilit letrar?
Pse është e nevojshme kjo propaganda, aq më tepër duke gënjyer për shkaqet pse u coptuam në 1913, duke gënjyer për gjithçka, duke manipuluar krejt historinë?
Kur u mposhtën arabët në Spanjë, ai që më pas u bë Papa Silvestri II, ishte pjesë e delagacionit që do të takonte Hakamin II. Vetë prifti i cili më pas do të bëhej Papë u mahnit nga kultura arabe dhe kërkoi kontakte me Universitetin e Karaouinit në Marok. Ishte ky Papë i cili futi numrat arabë në përdorim në Europë. Sipas këtyre, fakti që Europa përdor numra arabë, a i bie se është akt anti-europian dhe shkuarje mbrapa në kulturë?
Çohuni hiqni numrat hindu-arabë nga përdorimi, kthehuni prapë tek numrat romakë./fb


















