Shqiperia

Konstatohen shkelje, kontroll urgjent listave të ndihmave ekonomike

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e kryesuar nga ministrja teknike e propozuar nga PD, Xhulieta Kërtusha ka ngritur kontrollin e punës mbi përdorimet e fondeve të ndihmës ekonomike në qarkun e Korçës.

Ajo ka konstatuar shkelje të rënda në shpërndarjen e ndihmës ekonomike në Korçë duke filluar që me mospublikimin e listave të përfituesve. Sipas ministrisë, kjo shkelje e qëllimtë bëhet për të katërtin muaj rresht dhe synon favorimin e familjeve të ndryshme në Fushatë.

Për këtë arsye, Ministria e Mirëqënies i kërkon Ministrisë së Financave nisjen urgjente të kontrollit mbi drejtoritë përkatëse.

Njoftimi i MMSR:
Me urdhër të Ministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Xhulieta Kërtusha, më datë 07.06.2017 u ngrit grupi i punës për kontrollin mbi përdorimet e fondeve të ndihmës ekonomike në Qarkun e Korçës.

Nga Kontrolli i ushtruar në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Sociale Shtetëror, (DRSHSSH) Korçë u konstatuan një sërë shkeljesh ligjore në mënyrën e përdorimit të fondeve të ndihmës ekonomike.

Shkelja më e rëndë e konstatuar është mungesa e listave emërore të përfituesve të ndihmës ekonomike në këtë qark, për një periudhë prej 4 muajsh. Ky fakt përbën shkelje të Udhëzimit Nr.3, Datë 17.02.2017 të Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, ku kërkohet që vendimet e këshillave bashkiakë për përfituesit e ndihmës ekonomike të shoqërohen me listat emërore të përfituesve.

Mungesa e listave të familjeve që përfitojnë nga ndihma ekonomike ngre dyshime për keqmenaxhim financiar, shpërdorim të detyrës apo korrupsion nga ana e punonjësve të përfshirë në proces.

Nisur nga këto të dhëna Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë i ka kërkuar Ministrisë së Financave, nisjen urgjent te inspektimit financiar. Gjithashtu, nisur nga dyshimi se mungesa e listave të përfituesve, dhe mos afishimi i tyre është bërë për të favorizuar individë në mbështetje të fushatës zgjedhore për subjekte të caktuara politike.

Problematika të ngjashme janë vërejtur edhe në Qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, për të cilat po bëhen verfikimit e nevojshme përpara se të merren masat përkatëse.

MMSR do të marrë masat e nevojshme për të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve në varësi, të cilët kanë toleruar shkeljet ligjore në përdorimin e fondeve të ndihmës ekonomike.

OPINIONE