Koreja e Veriut: Armët bërthamore do t’i përdorim vetëm kundër SHBA-ve

Ministri i Punëve të Jashtme i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho ka porositur se vendi i tij është i gatshëm t’i mbajë “leksion të rëndë” me armë bërthamore Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Shefi i diplomacisë koreanoveriore anuloi konferencën e paralajmëruar për media në margjinat e Samitit të Organizatës së vendeve të Aziës Juglindore (ASEAN) në kryeqytetin e Filipineve, Manila, ndërsa më pas nga kabineti i tij lëshoi njoftimin.

Duke theksuar se Koreja e Veriut me asnjë kusht nuk do të negociojë për zhvillimin e armëve të saj bërthamore dhe raketave balistike, ministri verikorean porositi se “këto armë nuk do të përdoren kundër asnjë vendi, përveç SHBA-ve”.

“Ky plan sigurisht se ndryshon nëse ndonjë vend kyçet në hapat amerikane kundër Koresë së Veriut. Autoritetet në Uashington janë ata që absolutisht qëndrojnë prapa krizës në Gadishullin Korean”, tha Ri Yong Ho.

SHBA i përgjigjet kërcënimit të Koresë së Veriut: Nuk frikohemi

Ndaj kërcënimit të Koresë së Veriut pas vendimit të Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së për sanksione të reja ekonomike ndaj këtij vendi ka reaguar Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Nikki Haley, e cila ka thënë se nuk frikohen nga këto kërcënime.

Në një intervistë për kanalin Fox News, Haley i ka cilësuar si “goditje” sanksionet e reja ndaj Koresë se Veriut. Sipas saj, qëndrimi agresiv i këtij vendi dhe reagimet e saj kanë treguar që ajo ndihet e shqetësuar nga sanksionet.

Ajo rikujtoi se Kina dhe Rusia, të cilat i kishte kritikuar për presion të pamjaftueshëm ndaj Koresë së Veriut, kësaj radhe mbështetën rezolutën e KS të OKB-së.

“Koreja e Veriut tani e sheh se bashkësia ndërkombëtare është një zë i vetëm. Kina dhe Rusia nuk u tërhoqën. Në KS secili tha se tanimë mjafton dhe se nuk do të lejojmë këtë shkujdesje dhe këtë papërgjegjësi. Koreja e Veriut zhvillon 90 për qind të tregtisë së saj me Kinën, prandaj mbështetja e Kinës ishte e rëndësishme, ndërsa Kina ka thënë se do të rrisë efikasitetin e saj dhe do të zbatojë sanksionet”, ka theksuar Haley.

Ndërkaq, lidhur me paralajmërimin e Koresë së Veriut drejtuar SHBA-ve, në të cilin thuhet se “Jemi të gatshëm të japim një leksion serioz”, Haley ka thënë: “Do të reagojnë, do të kërcënojnë, por ne nuk do të frikohemi dhe nuk do të ikim”.

“Sanksionet do të zvogëlojnë kapacitetin e Koresë së Veriut për të zhvilluar prova raketore”, ka shtuar ajo./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne