Koreja e Veriut e quan “maniak lufte” këshilltarin amerikan të sigurisë

Koreja e Veriut e quan John Boltonin, këshilltarin amerikan të sigurisë, “maniak lufte”, pasi ky i fundit e quajti shkelje të rezolutës së Kombeve të Bashkuara (OKB) lansimin e mëhershëm të raketave me rreze të shkurtër nga Pyongyang-u zyrtar.

Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, që është në pronë të shtetit të Koresë së Veriut, citon Ministrinë e Punëve të Jashtme duke thënë se shteti “as që i ka njohur (rezolutat e OKB-së) e as që detyrohet nga ato”, transmeton AA.

Koreja e Veriut është nën sanksione të rrepta nga OKB që nga viti 2006 pasi në mënyrë të njëanshme testoi arsenalin nuklear. Sanksionet e lanë atë të izoluar nga komuniteti ndërkombëtar.

Pyongyang-u zyrtar lansoi raketa balistike me rreze të shkurtër më 4 dhe 9 maj.

“Nëse një objekt lansohet, ai duhet të fluturojë sipas trajektores. Ajo çfarë për SHBA-të është çështje, nuk ka të bëjë me gjatësinë e rrezes por me ndalimin e vetë lansimit me përdorim të teknologjisë balistike. Kjo mbase është e barasvlershme me kërkesën që DPRK (Republika Demokratike Popullore e Koresë) të heqë dorë nga e drejta e saj e vetëmbrojtjes”, thuhet në kumtesën e Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut insiston që stërvitjet ushtarake “nuk kanë pasur askënd për cak dhe nuk kanë rrezikuar shtetet përreth”.

“Mirëpo Bolton shfaq pretendime të ashpra se kjo përbën shkelje të rezolutave, duke futur hundët në mënyrë të pahijshme në çështjet e brendshme të të tjerëve. Nevojitet pak njohuri për të përcaktuar se Bolton qartazi ka një strukturë të ndryshme mentale nga njerëzit e zakonshëm”, thuhet në deklaratë.

“…ai është i njohur si një maniak lufte anti-DPRK i cili inskenoi politika të ndryshme provokuese siç është emërtimi i shtetit tonë si ‘boshti i së keqes’, sulmet parandaluese dhe ndryshimin e regjimit”, thuhet po ashtu në deklaratë.

Në deklaratën e Koresë së Veriut potencohet se Bolton ishte në “vijën e parë të udhëheqjes së luftës në Irak … dhe tani po fiton famë të keqe si një luftënxitës për obsesionin e tij me luftërat e tjera në Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut”.

“Në fund të fundit, do të jetë më e saktë ta quajmë Bolton-in jo një këshilltar sigurie që përpiqet për sigurinë, por një këshilltar që shkatërron sigurinë, i cili prish paqen dhe sigurinë”, theksohet në deklaratën e Koresë së Veriut./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne