Koreja e Veriut kërcënon Australinë

Koreja e Veriut ka akuzuar Australinë se i shkon SHBA-së nga pas “qorrazi” dhe ka kërcënuar gjithashtu me sulm bërthamorë atë, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve KCNA, e cila i referohet një deklarate të zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai ka akuzuar Australinë se shkon pas SHBA-së “qorrazi”.

Zyrtari koreano-verior ka kritikuar deklaratën e ministres australiane të Punëve të Jashtme, Julie Bishop, e cila kishte thënë: “Programi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut është kërcënim për Australinë”.

“Të dëgjosh fjalë të mira nga një ministre e tillë është e vështirë, por nëse ju jeni ministre e Punëve të Jashtme të një shteti, duhet të bëni kujdes në gjuhën që përdorni dhe duhet të flisni me gjakftohtësi për thelbin e problemit”, ka thënë ai dhe më pas ka theksuar se SHBA-ja është aktori kryesor për tensionin në gadishullin e Koresë, ndërsa e ka cilësuar si një vetëvrasje një sulm të mundshëm të SHBA-ve kundër armëve bërthamore të Koresë së Veriut.

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Mike Pence, gjatë një vizite zyrtare në Australi ditën e djeshme kishte deklaruar se “nëse Kina nuk ja del kundër Koresë së Veriut, këtë do ta bëjnë SHBA-ja dhe aleatët e saj”.

Kryeministri i Australisë, Malcoim Turnbull, ka deklaruar se Koreja e Veriut kërcënon stabilitetin e Australisë dhe i ka bërë thirrje Kinës të shtojë presionin kundër saj./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne