Koreja e Veriut kërcënon me sulm Guamin, territorin e SHBA-ve në Paqësor

Koreja e Veriut ka njoftuar se është e përgatitur të sulmojë Guamin, territorin e painkorporuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në perëndim të Oqeanit Paqësor, në të cilin SHBA-të posedojnë baza ushtarake.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Koresë së Veriut KCNA, Pheniani zyrtar është në gatishmëri të sulmojë Guamin me raketë balistike Hwasong 12.

Ndërkaq, Madeleine Z. Bordallo, anëtare e Kongresit të Guamit, ka publikuar një deklaratë në të cilën ka thënë se Guami është i mbrojtur dhe i sigurtë, sipas të dhënave që i kanë dhënë zyrtarët e Pentagonit.

Nga ana tjetër, një zyrtar i mbrojtjes i Koresë së Jugut ka theksuar se dy avionë bombardues amerikanë B-1B Lancer nga Guami kanë realizuar fluturim trajnues mbi Gadishullin e Koresë, së bashku me avionë të Koresë së Jugut.

Paraprakisht, presidenti amerikan Donald Trump e ftoi Korenë e Veriut të pushojë së kërcënuari SHBA-të, duke thënë se nëse nuk e bën një gjë të tillë, do të përballet me “zjarr dhe tërbim të SHBA-ve.”

“Koreja e Veriut, për të mirën e saj, nuk duhet më t’i kërcënojë SHBA-të. Ajo do të përballet me një zjarr dhe tërbim të cilin bota nuk e ka parë më herët”, është shprehur Trump./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne