Bota

Koreja e Veriut njofton shtyrjen e planit për “lëshimin e raketave në Guam”

Koreja e Veriut njoftoi shtyrjen e planit për lëshimin e raketave me rreze të gjatë në afërsi të ishullit Guam, që i përket SHBA-ve në Paqësorin Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Në lajmin e agjencisë së lajmeve KCNA të Koresë së Veriut të cilin ajo e mbështet në burimet zyrtare njoftohet se presidenti i vendit, Kim Jong-un, ka pezulluar “përkohësisht” planin për testimin e shpallur më parë, pasi ka vlerësuar planet e paraqitura ndaj tij nga ushtria e Koresë së Veriut.

Më tej në lajm thuhet se Kim përpara se të vendosë për testimin e raketës për një kohë do të “vëzhgojë veprimet e palës përballë”. Ndër të tjera thuhet se Kim “do të japë miratimin e kryerjes së testimit të raketës” në rast se pala përballë “do të vazhdojë veprimet e rrezikshme dhe të pamatura në Gadishullin Korean dhe përreth tij”.

Në fotot e publikuara në lajm vërehet se Kim Jong-un ka inspektuar Njësinë e Forcave Strategjike të cilat janë përgjegjëse për testimet raketore të ushtrisë së Koresë së Veriut dhe se ai po vëren një hartë të madhe ku ishte shënuar një destinacion i cili kalon nga Koreja e Veriut përmbi Japoni dhe drejt ishullit Guam.

Pasi u deklarua për herë të parë në opinionin publik plani i pretenduar që ushtria i kishte paraqitur liderit të Koresë së Veriut, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, kishte paralajmëruar se “do të shndërrohej në luftë me një shpejtësi” çdo testim raketor që do të kishte objektiv territoret amerikane në Paqësor apo atdheun e tyre./ AA

OPINIONE

INTERVISTA