Koreja Veriore kërcënon të godasë bazat amerikane dhe Seulin

Në rast të provokimeve ushtarake, politike ose ekonomike nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Koreja Veriore do të kryejë “sulm preventiv”, ka paralajmëruar të premten nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë koreanoveriore.

Sipas mediave ruse, ushtria e Koresë Veriore ka tërhequr vërejtjen se do të godasë bazat ushtarake e SHBA-ve në Japoni dhe Korenë Jugore, si dhe Presidencën në Seul në rast “të agresionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Porosia e ashpër e Koresë Veriore vjen pasi rrjeti televiziv amerikan NBC njoftoi, duke u thirrur në burime të inteligjencës, se SHBA-të po shqyrtojnë mundësinë e “sulmit preventiv” mbi Korenë Veriore nëse gjatë fundjavës Pheniani kryen prova të reja bërthamore. Edhe pse burime të Pentagonit më vonë hodhën poshtë pohimet, gazetarët amerikanë thonë se ka informacione se një sulm i tillë po shqyrtohet, edhe pse fokusi i ushtrisë aktualisht është i vendosur në “Kinën dhe sanksionet”. Nesër, Koreja Veriore feston 105-vjetorin e lindjes së themeluesit të saj Kim il Sung, ndërsa zyrtarët amerikanë shfaqin drojën se kjo festë nacionale e këtij vendi, e njohur si “Dita e diellit”, mund të jetë shkas për provën e gjashtë nukleare të Phenianit. Nga Koreja Veriore më herët ishte thënë se “SHBA-të do të kenë luftë nëse zgjedhin ashtu”, derisa nga Pekini dhe Kremlini ishte porositur se është e domosdoshme që të ulen tensionet./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne