Kosova, Mafia dhe Zvicra

Eroll VELIJA

Portretet e Xhavit Halitit, Hashim Thaçit dhe të një ushtari anonim të UÇK-së zënë vendin qëndror në ballinën e numrit më të ri të revistës javore “Die Weltwoche” të Zvicrës.

Sfondi i errët mbrapa portreteve sugjestionon lidhjet që revista ua ngarkon dy politikanëve kosovarë me botën e mafias dhe krimit.

Titulli i artikullit të paralajmëruar në faqen e parë është “Kosova, Mafia dhe Zvicra”, implikon edhe shtetin e Zvicrës në “veprimet mafioze” me të cilat, sipas autorit, identifikohen protagonistët e tij.

Në një artikull të gjatë, “Die Weltwoche” ka shetitur kryesisht nëpër biografitë e Xhavit Halitiit dhe të Hashim Thaçit, duke i karakterizuar ato si biografi fund e krye kriminale. “Të pakprekshmit”, siç i mbiquan autori dy të lartpërmendurit, thuhet të kenë pasur fjalën kryesore në UÇK dhe rrjedhimisht në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë pothuaj dy dekadave të fundit.

Gjithnjë sipas artikullshkruesit, këto procese kanë edhe hijet e tyre krimninale, të cilat ai i gjen në raportet e agjencive të ndryshme të inteligjencës, të cilat tash sa kohë i ka ripërtypur edhe shtypi ndërkomnbëtar dhe janë bërë pjesë edhe e raportit të Marty-t. Në këtë konstelacion, Hashim Thaçi është gjithmonë “njeriu për pamjen e jashtme” (për fasadë) ndërsa Haliti, “njeriu për punët e vrazhda”.

Gjithnjë sipas revistës, Xhavit Haliti, duke qenë përgjegjës për logjistikën dhe financimin e UÇK-së nga Zvicra, ka “manipuluar me të hollat e fondit “Vendlindja thërret” duke “devijuar” për vete një pjesë të parave të destinuara për luftën”. Ai po ashtu, sipas autorit, ka qenë edhe njeriu kyq i lidhjeve në mes të luftës që po zhvillohej në Kosovë dhe krimit, i cili paska marrë pjesë në financimin e kësaj lufte.

Thaçi, vazhdon artikulli, ka studiuar në Universitetin e Cyrihut për histori. Këtu ai ka mësuar elokuencën dhe mënyrën se si t`i pëdorte në retorikën e tij konceptet moderne politike, që u pëlqenin mbështetësve ndërkombëtarë si “liria e mendimit”, “të drejtat e njeriut” etj. Sipas artikullshkruesit, Thaçi gjatë studimeve në Cyrih ka qenë veçanërisht i zellshëm në ndjekjen e ligjëratave mbi luftërat në kohën moderne.

Këtë lëndë e ka ligjëruar eksperti zviceran i studimeve strategjike, Albert Stahel. Ky i fundit citohet të ketë thënë se e mban mend Thaçin dhe se ai ka qenë veçanërisht i interesuar për pjesët e ligjëratave ku bëhej fjalë për taktikën e luftës që përdornin muxhahidinët në Avganistan.

Shkrimi, duke fajësuar autoritetet zvicerane të cilat paskan lejuar që “para hundëve të tyre të mbështetet terrorizmi”, përkujton se, megjithatë, në raportet zyrtare të institucioneve zvicerane deri në vitin 1998, aksionet e UÇK-së mbiquheshin “terroriste”. Por çfarë ndodhi që nga ky vit “u zhduk” nofka “terroriste” në referimet për UÇK-në?

Kontakti që morën diplomatët amerikanë Holbruk dhe Gelbard me UÇK-në dhe vendimi që në atë kohë kishte marrë adminsitrata amerikane për të bashkëpunuar me këtë ushtri, sipas artikullit, detyroi edhe Zvicrën të ndryshonte qëndrim. Nga kjo kohë e tutje, Zvicra ka heshtur atë që artikullshkruesi e quan “veprimtari terroriste” të UÇK-së.

Autori vë në pah se në këtë pikë edhe UÇK e cila tashmë po merrte përkrahjen e fuqisë numër një në botë, SHBA-së kishte marrë detyrime që të ndryshonte pamjen dhe të hiqte dorë nga elementet enveriste të paraqitjes së saj të deriatëhershme.

Tehu i shkrimit të botuar në “Die Weltwoche”, revistë kjo, e cila, ç`është e vërteta, nuk është dalluar me ndonjë simpati të veçantë për shqiptarët, dhe që është zëdhënëse e qarqeve më konservative të shoqërisë zvicerane, bie mbi “politikën oportuniste” që sipas saj, ka udhëhequr Zvicra ndaj veprimeve për të cilat akuzohen krerët e UÇK-së. Zvicra pra, kishte “mbyllur njërin sy ndaj veprimeve kriminale të krerëve të UÇK-së të cilët e kishin shndërruar këtë shtet në një qendër komande prej nga niseshin logjistika, armatimi dhe ushtarët për në Kosovë”. Zvicra, madje, akuzohet nga autori se paska zhdukur dokumentacionin që ka cilësuar UÇK-në si organizatë terroriste dhe me këtë veprim, shteti zviceran merr rolin e “bashkëfajtorit”.

Në fund, sipas artikullit, Thaçi dhe Haliti i hedhin poshtë të gjitha akuzat që u ngarkohen, duke i quajtur ato të rrejshme ose produkte të propagandës serbe.
“Deri sot, asnjë gjyq i rregullt nuk i ka vënë në sprovë akuzat që i ngarkojnë ata të dy. Azilkërkuesit e dikurshëm të pranuar nga Zvicra kanë mbetur të paprekshëm”, përfundon artikullin e saj revista “Die Weltwoche”./ Prizren Post.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne