Kosova merr mbështetjen e Italisë për liberalizimin e vizave me BE-në

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, në kuadër të një vizite zyrtare në Itali, u takua me homologun e tij, Angelino Alfano, që premtoi se Italia do të mbështesë Kosovën për liberalizimin e vizave..

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, në kuadër të një vizite zyrtare në Itali, u takua me homologun e tij, Angelino Alfano, që premtoi se Italia do të mbështesë Kosovën për liberalizimin e vizave, sepse ky është një hap para drejt Evropës.

Në takim, Pacolli dhe Alfano diskutuan për nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe, liberalizimin e vizave dhe samitet e ardhshme Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, si dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës (shtimi i njohjeve, anëtarësimi në Interpol, etj).

Alfano u angazhua për mbështetjen italiane në gjirin e organizatave ndërkombëtare, për shtimin e njohjeve në pellgjet gjeografike ku Italia ka ndikim, si dhe për rritjen e investimeve italiane në Kosovë.

Pacolli e njohu bashkëbiseduesin e tij me zhvillimet e fundit në Kosovë në planin rajonal, për bisedimet me Serbinë dhe disa prej prioriteteve në të cilat Kosova ka nevojë për mbështetjen italiane.

Gjithashtu Pacolli e informoi me angazhimin e Kosovës për jetësimin e marrëveshjeve të nënshkruara në bisedimet e Brukselit me Serbinë. “Këto bisedime duhet të përfundojnë vitin tjetër, me një marrëveshje detyruese mes palëve”, u shpreh shefi i diplomacisë kosovare.

“Ne kemi interes për të ecur së bashku me Italinë, duam të jemi nxënës të mirë për këshillat e një vendi si juaji, prej nga vijnë rrënjët e Evropës së bashkuar”, tha Pacolli, cituar nga “Kosova Press”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne