Kosovë – Më 19 nëntor zgjedhje lokale në 20 komuna

Në Kosovë, pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, do të votohet përsëri të dielën e 19 nëntorit në më shumë se gjysmën e komunave – në 20 nga gjithësej 38.

Sipas rezultateve të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në balotazhin për kryetarët votohet në 19 komuna, që janë gjysma: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë, Kllokot, Obiliq, Kamenicë dhe Istog.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të mërkurën në mbrëmje që po më 19 nëntor të zhvillohet edhe rivotimi për kryetar në komunën e Parteshit, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar përsëritjen e votimit pas një ankese për blerje të votave dhe manipulim të procesit zgjedhor.

Ndërsa, sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga KQZ, me votimet e 22 tetorit tashmë janë të zgjedhur kryetarët në 18 komuna: Deçan, Fushë-Kosovë, Leposaviç, Lipjan, Novobërdë, Pejë, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Mamushë, Han të Elezit, Graçanicë, Ranillug, Mitrovicë të Veriut, Drenas dhe Junik.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës shpalli mbrëmjen e së mërkurës edhe rezultatet përfundimtare të votimeve të 22 tetorit për kuvendet komunale. Afati i ankesave filloi nga ora 12:00 e ditës së enjte, pasi deri në këtë orë u publikuan rezultatet e detajuara. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne