Kosovë, dhjetëra persona të prekur nga kundërmimi i pakove të votimeve nga Serbia

Dhjetëra persona që po merreshin me numërimin e votave kanë ndjerë efekte negative shëndetësore sot në Prishtinë pasi kanë hapur zarfet e kutive me vota që kanë ardhur nga Serbia, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve zyrtare nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), në orën 11 është ndërprerë numërimi i votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), në hapësirën e ndërtesës së Ministrisë së Infrastrukturës “ndërsa puna në QNR, qendra në Fushë Kosovë, po vijon me normalitet”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Drejtoria e Spitalit të Prishtinës, nëpërmjet një komunikate për media bën të ditur se 9 pacientë janë lajmëruar rreth orës 12 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ultë. Dy nga to kanë pasur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka pasur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, shkruan në komunikatë.

Aty thuhet se “pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese”.

Ndërkohë pas kësaj, ekipet kujdestare të Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe ofruar ndihmë mjekësore personave në fjalë.

Rastin për AA e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka thënë se “Policia posedon informata të tilla por për detaje në këtë fazë ka rekomanduar adresimin në KQZ-së dhe autoritete shëndetësore”.

Në qendrën e QNR-së në Ministrinë e Infrastrukturës ka pasur rreth 36 persona, ndërsa ata të cilët nuk kanë ndjerë ndonjë efekt të rëndë, janë trajtuar nga mjekët e ambulancës e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes.

Kutitë me vota të ardhura në Kosovë me postë nga Serbia, janë vota të serbëve nga Kosova të cilët jetojnë në Serbi dhe kanë të drejtë vote./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne