Kosovë, gazetarët protestojnë në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, së bashku me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Asociacionin e Gazetarëve Serbë në Kosovë të përkrahur nga Organizatat e Shoqërisë Civile me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, zhvilluan aksion protestues para objektit të qeverisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Motoja e aksionit të gazetarëve ishte #Folmosutut ku me parulla të ndryshme në duar kërkuan përmirësim të kushteve, kontrata dhe respektimin e lirisë së shprehjes.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj i cili mbajti një fjalim para kolegëvë tha se #Folmosutut është motoja e aksionit ku përmes kësaj motoje u bëjnë thirrje të gjithë gazetarëve të Republikës së Kosovës që të mos frikohen dhe të flasin së pari për problemet që gazetarët i kanë në vendet e tyre të punës. Ai shtoi se ata duhet të flasin pavarësisht presioneve shantazheve, apo sulmeve të ndryshme që mund ti bëjnë grupet e interesit në drejtim të gazetarëve.

Hysenaj po ashtu bëri të ditur se viti 2016 ka qenë viti më sfidues dhe gjatë vitit 2016 kanë ndodhur sulme jashtëzakonisht ekstreme në drejtim të gazetarëve duke mos përjashtuar edhe sulmet me bomba që kanë ndodhur në mediumin publik si dhe në media tjera në Kosovë.

Ai tha se AGK është e shqetësuar për këtë trend të zhvillimeve sa i përket lirisë së shprehjes sepse sipas tij sistemi i drejtësisë është duke hezituar që ti trajtojë rastet e gazetarëve.

Hysenaj kritikoi sistemin e drejtësisë duke thënë se Ministria e Drejtësisë, përmes një iniciative që thuhet se është përkrahhur nga presidenti Thaçi, është duke u munduar që ta ndryshojë kodin penal dhe rikthimin e neneve të cilat komuniteti i gazetarëve i ka kundërshtuar se kanë tendenca të kufizojnë lirinë e mediave dhe shprehjes.

“Nomalisht që mobilizimi i OJQ-ve dhe i Asociacionit ka dërguar në atë që MD të tërhiqet nga propozimi i saj. Megjithatë dëmi është bërë për shkak se kemi pasur një kërcënim serioz për të na ngulfatur zërin neve gazetarëve sepse e dimë se Kosova ka një sistem të brishtë të drejtësisë dhe ato nene do të mund të keqpërdoreshin”, tha Hysenaj.

Ndërsa, kryetari i Këshillit të Mediave të shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj tha se si këshill “Nuk po kërkojmë privilegje sepse autoritetet apo kush do qoftë tjetër të na sigurojë privilegje në po kërkojmë që të na lënë të lirë ta bëjmë punën tonë”.

Ai tha se edhe gazetarët, anëtarët e këshillit duhet të tregojnë përgjegjë si ndaj publikut, informimit të drejtë ashtu edhe ndaj gazetarisë korrekte dhe profesionale.

Kurse, kryetari i Asociacionit të gazetarëve serbë në Kosovë, Budimir Niçiç, tha se që nga 3 maji i vitit të kaluar kur kanë thënë se liria e gazetarëve po cenohet asgjë nuk ka ndryshuar në gjendjen ekonomike të gazetarëve posaçërisht atyre të mediave serbe.

Niçiç vuri në dukje faktin se sulmet ndaj gazetarëve kanë mbetur pa u zgjidhur, personat të cilët kanë rrëmbyer kolegët e tij mbeten të pa identifikuar, madje çështjet si vrasja e gazetarëve vite më pare ende nuk janë zbardhur.

Protesta përfundoi e qetë dhe pa incidente./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne