Kosovë, institucionet e sigurisë dhe ato të zgjedhjeve të gatshme për zgjedhjet

Institucionet kompetente të sigurisë në Kosovë së bashku me institucionet kompetente për zgjedhjet parlamentare kanë ndërthurur programet e tyre për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sekretariati i Komisionit Qendror Zgjedhor (SKQZ), Policia e Kosovës (PK), Prokuroria e Shtetit (PSH), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) zhvilluan një takim pune në Prishtinë lidhur me programin orientues për zgjedhjet e muajit të ardhshëm.

Kryeshefi i SKQZ-së, Enis Halimi, tha se “përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme janë duke shkuar mirë”. Sipas tij, angazhimi me akterët e sigurisë do të rezultoj me një proces të mirë zgjedhor.

Ndërkaq, Afrim Ahmeti, drejtor i operacioneve në Policinë e Kosovës, tha se policia është e gatshme t’u përgjigjet të gjitha situatave që nga fushata deri në ditën e zgjedhjeve.

“Në këtë fazë kërkojmë nga të gjithë që të ketë bashkëpunim dhe të ketë raportim të rasteve eventuale që mund të paraqiten, si gjatë fushatës ashtu edhe ditën e zgjedhjeve”, u shpreh Ahmeti.

Koordinatorja Nacionale për këto zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, nga ana e saj inkurajoi qytetarët që në mënyrë permanente të paraqesin çdo rast apo informatë të manipulimit të votës.

Po ashtu edhe Gyltene Sylejmani nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, tha se i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procesin zgjedhor duke e zgjatur edhe orarin e punës për punonjësit e këtij institucioni. Ajo bëri të ditur se deri në këtë fazë të punës janë paraqitur 86 ankesa, duke apeluar tek të gjitha palët të respektojnë kodin e mirësjelljes dhe t’i shmangen gjuhës së urrejtjes.

Koordinatorja për Zgjedhje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Fatime Dermaku, tha se kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për fillimin e fushatës dhe zgjedhjeve, duke shtuar se kanë caktuar disa gjyqtarë që do të kujdestarojnë gjatë procesit zgjedhor.

“Janë gjithsejt 15 gjyqtarë kujdestarë që do të kujdestarojnë lidhur me keqpërdorimet eventuale që dalin në zgjedhjet e 6 tetorit. Vetëm në Prishtinë kemi të caktuar gjashtë gjyqtarë, që do të thotë është e mbuluar mjaft mirë kjo pjesë”, tha Dermaku.

Gjatë këtij takimi të punës midis institucioneve, kanë marrë pjesë dhjetëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët do t’i përcjellin mesazhet e sigurisë edhe tek pjesëtarët tjerë policorë për një proces sa më të sigurt zgjedhor.

Kosova vendosi të mbajë zgjedhje të parakohshme pasi kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, dha dorëheqje në korrik sepse u thirr në Hagë si i dyshuar për krime lufte për rolin e tij në vitet 1998-99 kundër forcave serbe.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haradinaj më parë u gjykua dy herë në Gjykatën ndërkombëtare, por u la i lirë për mungesë të provave.

Në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, që do të mbahen më 6 tetor, 1.9 milionë votues të regjistruar do të dalin në votime për të përcaktuar anëtarët e rinj të Parlamentit me 120 vende. Përafërsisht 50 mijë vëzhgues do të ndjekin zgjedhjet ku do të garojnë 20 parti politike dhe katër aleanca./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne