Rajoni

Kosovë – Krusha e Vogël përkujtoi 113 martirët e saj

Me një tubim përkujtimor ku morën pjesë krerët e shtetit dhe përfaqësuesit lokal, në Krushë të Vogël u përkujtuan 113 martirët e rënë në mars të vitit 1999, në luftën e fundit në Kosovë.

Në këtë tubim, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij para familjarëve të viktimave dhe qytetarëve të rajonit të Prizrenit, deklaroi se Krusha e Vogël është simboli i mbijetesës, por edhe i krenarisë tash kur në këtë vend jeton gjenerata e re. Ai tha se herët ose vonë, kryerësit e krimeve në këtë fshat, do të japin përgjegjësi.

“Shumë prej jush, këtu i keni humbur më të dashurit tuaj para 20 vitesh. Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë krimet e bëra nga shteti i Serbisë në Krushë të Vogël dhe gjithandej Kosovës. Herët a vonë, kryerësit e këtyre krimeve: spastrimit etnik, vrasjeve deri në përmasat e gjenocidit, do të japin llogari”, tha Thaçi, i cili theksoi se vrasjet në Krushë u bënë vetëm “për shkak se ishin shqiptarë”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana e tij, tha se Krusha e Vogël është vendi me më shumë të vrarë, krahasuar me numrin e banorëve që ka. Ai u zotua se do t’i kryejnë mirë obligimet që kanë për kategoritë e dala nga lufta.

“Numri 113 për një vendbanim kaq të vogël, e për kaq pak familje e bën Krushën e Vogël vendin më të vrarë në Kosovë. Pra, nuk ka ndonjë vend tjetër në Kosovë që për numër të familjeve ka kaq viktima. Kaq njerëz të marrë padrejtësisht. Besoj shumë që duke qenë këtu e duke parë me sy atë që thotë populli, afër syve afër zemrës, do t’i nxjerrim edhe ne edhe më tutje, edhe më mirë obligimet tona që kemi ndaj kategorive të lirisë, ndaj statusit tuaj, si familje”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, kryetarja e fshatit Krushë e Vogël, Shpresa Shehu, nga një përmbledhje që i bëri historisë së masakrës, tregoi se nga 113 viktima, të gjithë të gjinisë mashkullore, ishin nga 13 vjeç e deri në më të vjetrin e fshatit. Ajo tregoi se edhe pas 20 vjetësh, nga gjithë këta viktima, vetëm 45 prej tyre janë gjetur e varrosur. Ndërsa, mungojnë trupat e pajetë edhe të 68 të tjerëve.

“Më 26 mars forcat paramilitare ushtarake policore serbe së bashku me serbët e fshatit rrethojnë banorët. Gratë dhe fëmijët urdhërohen të shkojnë në Shqipëri, kurse meshkujt pleq, të rinj dhe fëmijë, me dhunë dhe torturë i detyrojnë të futen në një shtëpi, ku pasi pushkatohen shtëpisë i vihet zjarri. Gjashtë persona arritën të shpëtojnë nga kjo tragjedi. Të plagosurit i vranë gjatë tentimit të ikjes. Në këtë masakër janë vrarë e zhdukur 112 meshkuj, ku pas kthimit nga Shqipëria vritet edhe një fëmijë 12-vjeçar duke rënë në minat që kishin vendosur serbët në fshat”, tha Shehu.

Forcat serbe në këtë fshat hynë më 25 mars dhe filluan me djegien e shtëpive. Nëntë burra që nuk i lëshuan shtëpitë, u vranë po atë ditë ndërsa të plagosurit u vranë gjatë ikjes. Vetëm gjashtë burra arritën t’i shpëtojnë kësaj tragjedie.

Më 26 mars të vitit 2014 u kthyen në vendin e tyre 45 kufoma, në përvjetorin e 15-të të rënies. Meqë shumica e burrave të këtij fshati u eliminuan, gratë e Krushës së Vogël janë të njohura në Kosovë për punën e tyre me përpunimin e perimeve, paketimin dhe shitjen e produkteve që rrisin nga toka e fshatit. (Anadolu Agency-AA)

OPINIONE