Kosovë, ministri Rikalo takim me ambasadoren turke dhe delegacionin e TIKA-s

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Republikës së Kosovës (MBPZHR), Nenad Rikalo priti në takim ambasadoren e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç dhe delegacionin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga MBPZHR thuhet se në takim ishin të pranishëm pjesëtarët e delegacionit të TIKA-s, në krye me kryetarin e departamentit të TIKA-s për Ballkanin dhe Evropën Lindore, Mahmut Çevik, me të cilët është diskutuar për zhvillimin bujqësor dhe rural, si dhe për programet zhvillimore të ministrisë për vitin e ardhshëm.

Ministri Rikalo, gjatë këtij takimi i ka informuar ata me disa nga projektet bujqësore, të cilat parashihen të realizohen gjatë mandatit të tij. Sipas njoftimit, ai theksoi edhe hapjen e pesë qendrave rajonale, të cilat do të mbështesin prodhuesit bujqësorë në arsim dhe angazhimin me partnerët e huaj në mënyrë që të shkëmbejnë përvojat në zhvillimin e sektorëve bujqësorë.

Ndërsa, ambasadorja Kıvılcım Kılıç vlerësoi raportet e deritanishme mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë e saj për bashkëpunim të mëtejshëm, duke theksuar me këtë rast edhe gatishmërinë e saj për mbështetje në zbatimin e projekteve mes TIKA-s dhe MBPZHR-së.

Ndërkaq, Çevik, tha se deri më tani kjo agjenci ka investuar 100 milionë dollarë sipas standardeve të BE-së përmes zbatimit të projekteve të ndryshme dhe atyre në fushën e bujqësisë në 11 vende të Ballkanit. Ministri Rikalo dhe Çevik, janë pajtuar se edukimi në fushën e bujqësisë dhe modernizimi i teknologjisë bujqësore është i një rëndësie të madhe për përmirësimin e zhvillimit bujqësor dhe rural./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne