Kosovë – Ministri Shala pret në takim delegacionin e DEIK nga Turqia

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala, të mërkurën priti në takim anëtarët e Këshillit Botëror Turk të Biznesit pranë Këshillit të Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK) nga Turqia për të diskutuar mundësitë e investimeve në Kosovë.

Ministri Shala tha se Kosova ofron mundësi të jashtëzakonshme për investitorët e jashtëm me një sistem legjislativ me parime të mbrojtjes dhe përkrahjes së investitorëve të huaj. Ai theksoi se Kosova e sheh Turqinë si një ndër partnerët më të fortë ekonomik të saj, ndërsa është e gatshme për investime të reja nga ajo, tani kur lehtësimet janë edhe më konkrete me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë Kosovë-Turqi.

“Kosova është e gatshme për investimin tuaj. Unë ju ftoj që të investoni në Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht duke ju llogaritur si një nga partnerët më të rëndësishëm që ne si Qeveri e Kosovës dhe si potencial e shohim investitorin nga Turqia për investime këtu. Ajo që unë në emër të dikasterit të cilin e drejtoj, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju garantoj që unë do të jem avokati juaj në secilin hap gjatë të bërit biznes në Kosovë”, tha Shala.

Ministri Shala tregoi se Kosova është radhitur në vendin e 44-të nga organizata “Doing Business” për nga lehtësirat e të bërit biznes. Ndërsa është radhitur si vendi i 10-të në botë sa i përket shpejtësisë së regjistrimit dhe hapjes së biznesit, që mund të bëhen brenda ditës dhe kanë kosto fillestare zero.

Ndërkohë kryetari i DEIK-DTIK Nail Olpak, tha se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë nuk është një marrëveshje e cila do të mbetet vetëm në aspektin e importit dhe eksportit të mallrave.

“Në të njëjtën kohë do të jetë e rëndësishme edhe në aspektin e rritjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Kosovë, por edhe investimeve turke. Por, gjithashtu mendoj se kjo do duhet të mbështetet edhe me stimulime të ndryshme” u shpreh ai.

Më tej Olpak bëri të ditur se janë të vetëdijshëm për mundësitë që i ofron Kosova, duke treguar se investitorët turq janë të vetëdijshëm se çfarë mundësi ka në drejtim të programit të Bankës Botërore, “Doing Business”.

Olpak informoi edhe rreth DEIK. “DEIK është një platformë biznesi, një organizatë joqeveritare e themeluar para 34 vitesh e përbërë prej anëtarë plotësisht vullnetarë. Në të njëjtën kohë është në raport edhe me qeverinë”, tha Olpak. Ai shtoi se DEIK në mbarë botën në 146 vende ka këshilla biznesi, që përbëjnë fuqinë më të madhe të kësaj organizate.

Sipas të dhënave nga Dhoma Tregtare Kosovaro-Turke, Kosova importonte mallra në vlerë prej 128,2 milionë eurosh nga Turqia në vitin 2008, ndërsa kjo shifër është rritur në 334,5 milionë euro në vitin 2018. Në të njëjtën mënyrë, Kosova realizonte eksporte në vlerë prej 3 milionë eurosh në vitin 2008 ndërsa në vitin 2018 eksportet arritën vlerën prej 8,4 milionë eurosh. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne