Kosovë, nisi festivali “Turkish Jazz Week”

Në Kosovë nisi edicioni i gjashtë i festivalit tradicional i muzikës xhaz “Turkish Jazz Week” në organizim të Institutit “Yunus Emre” në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Turqisë në Prishtinë me koncertin e xhaz artistes së njohur nga Turqia, Şenay Lambaoğlu dhe grupit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë koncert i pranishëm ishte Ministri i Administratës Publike të Republikës së Kosovës, Mahir Yağcılar, Zëvendësministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Kadir Hyseini, Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, Konsullja e Përgjithshme e Turqisë në Prizren, Selen Evcit, Drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë, Mehmet Ülker dhe shumë artëdashës kosovarë.

Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç e cila bëri hapjen si nikoqire e këtij festivali në fjalimin e saj falënderoi dashamirët e muzikës të pranishëm në këtë koncert duke theksuar se kjo ngjarje ka filluar të bëhet tradicionale. Ajo po ashtu theksoi se fama e këtij festivali ka kaluar kufijtë e Kosovës duke u bërë njëra nga ngjarjet më të rëndësishme të skenës muzikore evropiane.

“Këtë aktivitet e konsiderojmë si një platformë ku kemi arritur ta shkrijmë muzikën tradicionale turke me atë të xhazit modern. Shpresojmë të vazhdojmë me organizimin e këtij aktiviteti edhe në të ardhmën”, u shpreh Ambasadorja Kılıç.

Artistja Şenay Lambaoğlu e cila është e njohur si “Poetja e xhazit” në Turqi, gjatë koncertit performoi këngë të ndryshme nga albumi i saj i fundit, i cili titullohet “Başka türlü bir şey”. Albumi i saj përmban tekste nga poezitë më të njohura turke të artistëve si Can Yücel, Nazım Hikmet si dhe të poetit të madh Ömer Hayyam ndërsa u prit shumë mirë nga audienca kosovare.

Në këtë koncert artistes Şenay Lambaoğlu dhe grupit iu bashkangjit edhe saksafonisti i njohur kosovar Dardan Gjinolli në njërën nga këngët e artistes.

Ndryshe, në ditën e dytë të këtij festivali më 24 maj do të performojë bendi Authentic Anatolian Project në shtëpinë e kulturës “Xhemajl Berisha” në Prizren dhe në ditën e tretë të festivalit më 25 maj do të performojë artisti i muzikës xhaz Merih Aşkın, në amfiteatrin e ri të Universitetit të Prishtinës./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne