Kosovë, një zyrtare policore vret 4 persona dhe më pas kryen vetëvrasje

Një zyrtare e Policisë së Kosovës ka vrarë 4 persona sot dhe në fund ka qëlluar edhe veten.

Sipas njoftimit nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamentit për Krime të Rënda, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, ndërsa nga zyrtarja policore “janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje”.

“Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘Bujanina’ në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje”, thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se në vend të ngjarjes kanë dalë autoritetet kompetente, të cilët kanë konstatuar vdekjen e personave.

Prokuroria thekson se rasti ende është nën hetim dhe se trupat e pajetë me urdhër të prokurorit do të dërgohen në obduksion./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne