Kosovë, organizata e veteranëve të luftës proteston kundër Prokurorisë Speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka protestuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, si dhe në disa komuna tjera të Kosovës, për të kundërshtuar ngritjen e aktakuzave ndaj ish-udhëheqësve të lartë të UÇK-së, presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.

Dhjetëra protestues, me maska dhe me simbole të UÇK-së, duke respektuar distancën fizike për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), protestuan me moton “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”.

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati tha se po protestojnë pikërisht për veprimet e Gjykatës Speciale me seli në Hagë, e cila siç tha ai, është e padrejtë dhe e njëanshme, ndërsa aktakuzat e fundit “janë të orkestruara nga Serbia”.

“Jemi mbledhur anekënd Kosovës në kushte e rrethana të jashtëzakonshme për të protestuar e për t’i kundërshtuar akuzat e padrejta të njëanshme e të ndikuara politikisht nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare që po i bëhen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tash e 20 vite me radhë të orkestruara edhe nga Serbia dhe aleatët e saj”, tha Gucati.

Gucati tha se me aktakuzën e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi si dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli është në lajthitje, duke theksuar se “çlirimtarët dhe kriminelët nuk janë një”.

“Gjykata është në lajthitje, por fillimisht ajo ishte joserioze, pasi ishte paraparë që të hetoheshin krimet nga të dyja palët e konfliktit e që nuk rezultoi ashtu, sepse kjo gjykatë amnistoi Serbinë dhe krimet e saj të kryera në Kosovë dhe në të gjitha hapësirat e ish-Jugosllavisë”, tha Gucati.

Protesta vjen pas aktakuzës së ngritur ndaj presidentit Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Veseli nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor, të cilët akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

Gjykata Speciale për Kosovën si organ i drejtësisë së vendit por me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë me seli në Hagë të Holandës, u votua në Kuvendin e Kosovës më 3 gusht të vitit 2015 për të gjykuar krimet e luftës së fundit të vitit 1998/99./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne