Kosovë – Qeveri boll mo! Punëtorët protestojnë!

“Boll mo, qeveri zbato ligjin”, kanë thënë punëtorët e Kosovës në protestën e 1 Majit të mbajtur në Prishtinë. Në këtë protestë të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kryetari Avni Ajdini, tha se 1 Maji punëtorët kosovarë po i gjen në gjendje jo të mirë, pa zbatim të ligjit të punës e Kontratës kolektive dhe pa siguri në punë.

“Ka mjaft shkelje drastike, të cilat nuk i respektojnë punëdhënësit duke abuzuar, duke mos respektuar ligjin e punës, marrëveshjen kolektive, kontratën individuale”, është shprehur Ajdini.

Ai më tutje ka folur për shkeljet e mëdha që iu bëhen punëtorëve në Kosovë, duke filluar nga kontrata, siguria e trajtimi në vendin e punës.

“Të vetmit janë punëtorët që me djersën e vet kontribuojnë për këtë vend. Të vetmit janë punëtorët që hapin vende të reja të punës. Pa punëtorët nuk hapin. Kështu që themi “Boll mo! Me këtë moto kemi ardhur deri këtu. Boll mo! Boll mo, se na keni ardhur deri në hundë!”, ka thënë ai.

Ai tha se të gjitha premtimet e qeverisë që janë dhënë deri më tani, thuajse asnjë nuk është realizuar. Ajdini poashtu theksoi se papunësia në Kosovë është shumë më e lartë se sa shifrat zyrtare që jepen nga institucionet e shtetit. Sipas tij papunësia në Kosovë është mbi 40%, përderisa statistikat e japin rreth 30%, sipas tij, duke manipuluar me gjendjen reale. BSPK-ja vitet e fundit kishte ndërprerë protestat me 1 Maj, pasi sipas ish-kryetarit Haxhi Arifi, ato nuk kanë qenë efikase.

Haradinaj priti në takim investitorë dhe biznesmen nga Arabia Saudite

Kosova është vend i sigurt dhe i hapur për investime të huaja. Republika e Kosovës me Arabinë Saudite ka raporte korrekte bilaterale, e të cilat mund të zgjerohen në bashkëpunim ekonomik. Kështu ka thënë Kryeministri Ramush Haradinaj, pasi priti në takim një delegacion të Këshillit të Odave Saudite si dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme nga ky vend.

Ky delegacion ishte i kryesuar nga Khalid Abdulrahman Al-Othman.

Haradinaj pasi falënderoi delegacionin për gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim, ka konfirmuar përkushtimin e Qeverisë që ai drejton për të krijuar kushte të përshtatshme për investime strategjike, që do të ndihmonin zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Kosova ka potenciale të mëdha për të pranuar investime direkte. Ne kemi krijuar ambient të përshtatshëm për investitorët e huaj, kemi resurse njerëzore, fuqi të re punëtore dhe të profilizuar si dhe kushte të volitshme për sa i përket legjislacionit në fushën e të bërit biznes”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

Takimi me investitorët dhe biznesmenët nga Arabia Saudite është në vazhdën e përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të dhënë mesazhin se Kosova po bëhet një treg atraktiv ku mund të investohet në shumë fusha.

Ministri Lluka tregon fushat se ku mund të investohet nga të huajt

Sektori i energjisë, ujit e minierave janë vetëm disa nga fushat në të cilat investitorët e huaj kanë mundësi të investojnë në Kosovë, bëri të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në forumin e biznesit “Kosovë-Arabi Saudite 2018”.

“Në Kosovë momentalisht janë diku rreth 300 milionë euro investime të huaja. Kjo kryesisht është për investimet që ndodhin në vend me qëllim për të targetuar Bashkimin Evropian. Është me rëndësi legjislacioni në fuqi. Kosova e ka bërë kompatibil legjislacionin dhe i gjithë legjislacioni është ndërtuar nga bazë të ekspertëve të huaj”.

“Po ashtu potencial i madh është edhe sektori i ujit. Njëherësh kemi për momentin 11 miniera që janë zona në interes të veçantë, kryesisht janë të pasura me plumb. Këto miniera që i përmenda kanë potencial për investime. Trepça kryesisht i ka 84 minerale të ndryshme, por shumica e pasurisë është në plumb, zink e argjend”, ka thënë ministri.

“Në agrobiznes, ndërtimi i qendrave grumbulluese përpunuese dhe paketuese janë të domosdoshme. Për t’i akomoduar investitorët e huaj, qeveria ka ndërtuar disa parqe biznesore”, ka informuar ministri Lluka mysafirët nga Arabia Saudite.

LVV-ja i kërkon “llogari” Haradinajt

Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje Kryeministrit Ramush Haradinaj, që të jep shpjegime rreth shpronësimeve në Shipitullë. Në një konferencë për media, deputetja Arbërie Nagavci, duke folur për keq-menaxhimet në sektorin e energjisë elektrike, tha se kohëve të fundit qytetarët janë ballafaquar me fatura të fryra të energjisë elektrike duke iu faturuar jo vetëm harxhimet e tyre, por edhe mbulimi i shpenzimeve për humbjet teknike të KEDS-it. Për më keq sipas Nagavcit edhe pse është premtuar energji pa ndërprerje, prapë se prapë ka pasur reduktime.
“Kryeministri Haradinaj e ka obligim të na njoftojë: A i njeh dhe a do t’i respektojë vendimet e vitit 2004 dhe 2009 të qeverisë Mustafa për shpronësim, apo do të kompensojë edhe shtëpitë e ndërtuara pas vitit 2009-të, gjë që do të ngrinte dyshime të bazuara në korrupsion, aq më tepër kur thuhet se vlera e shpenzimeve thuhet se ka tejkaluar shumëfish milionat e planifikuar”, ka thënë ajo.

Ndërkaq sa i përket shpronësimeve në Shpitullë, Nagvci kërkoi nga Kryeministri Ramush Haradinaj të jap përgjigje mbi mënyrën e shpronësimit, pasi sipas saj, kompensimi po bëhet në baza partiake dhe i lidhur me individë të një partie.

“Për më shumë dhe për më keq, qytetarët jo vetëm se paguajnë rrymën që e shpenzojnë që përballen me mungesë të energjisë, por ata janë të obliguar të paguajnë dhe humbjet teknike dhe komerciale, apo thënë më drejtpërdrejtë qytetarët obligohen të paguajnë vjedhjen e rrymës nga kompanitë dhe ekonomitë jo formale nga qytetarët e papërgjegjshëm”, ka thënë Nagavci.

Sipas Arbërie Nagvcit, Vetëvendosje nuk do të ndalet deri sa kryeministri t’iu jep shpjegimet e duhura mbi shpronësimet në Shipitullë. Madje nuk është përjashtuar as mundësia e krijimit të ndonjë Komisioni Parlamentar për hulumtimin e tërësishëm të procesit të shpronësimit.

LDK-ja nuk do e ngrejë mocionin pa pajtim të përgjithshëm

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, në konferencën javore, ka vlerësuar si arritje që të gjitha partitë janë mbledhur me vullnet në tryezën e organizuar nga LDK-ja, për të diskutuar për çështjet që preokupojnë vendin. Ai tha se është konkluzion i të gjithëve që dialogu i brendshëm të vazhdojë.

“Vendi është në krizë dhe për të dalë nga kjo duhet të bëhet bashkë dialog me të gjitha forcat politike. Besojmë që për dy tri tryeza do të arrijmë një konkluzion, është shprehur ai.

Ai komentoi edhe platformat për dialog, që i cilësoi si më të dobëtat që janë bërë ndonjëherë. Kurse i pyetur për mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë, Hoti tha se LDK mund të ngris mocion por që sipas tij nuk do ta bëjnë këtë pa pasur një konsensus mes partive politike.

Sa i përket platformës për dialog me Serbinë, Hoti tha se kjo platformë është shumë e dobët, por konkretisht nuk është përgjigjur nëse e kundërshtojnë udhëheqjen e dialogut nga presidenti. Ai tha se me Kushtetutë, politika e jashtme vendoset nga qeveria dhe pastaj presidenti mund ta përfaqësoj shtetin e Kosovës me miratim të Qeverisë.

Qeveria miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve

Qeveria e Kosovës miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021. Ministri i Financave, Bedri Hamza duke e prezantuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për periudhën e ardhshme trevjeçare, tha se parashihet që rritja reale ekonomike të jetë 5 për qind në vitin 2019, ndërsa në dy vitet tjera deri në 5.3 për qind. Hamza tha se sektorët buxhetorë që kanë prioritet financimi janë: Arsimi, shëndetësia dhe punësimi.
Por, ishin pikërisht ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica dhe ai i Arsimit, Shyqyri Bytyçi, që kishin vërejtje. Madje ky i fundit tha se mbështetja në arsim, po mbetet vetëm teorike.
“Nga ky planifikim i Kornizës Afatmesme, do të mbesim vetëm në projektet e vjetra. Asnjë projekt i ri nuk do të ketë mundësi të zhvillohet”, tha Bytyçi.

Ministri i Financave, Bedri Hamza arsyetoi planifikimet buxhetore, ndërsa tha se paratë që jepen, duhet të reflektojnë edhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

“I kuptoj kërkesat e drejta të ministrave për më shumë para, por të koncentrohemi edhe në shpenzimin sa më racional dhe efektiv dhe të mendojmë për vlerën e kthimit për paratë e investuara”, tha Hamza.

Kryeministri Haradinaj interesohet për autostradën e Dukagjinit

Në mbledhjen e qeverisë ku është miratuar Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2019-2021, Kryeministri Ramush Haradinaj është interesuar kryesisht për infrastrukturën rrugore, me theks të veçantë autostradën e Dukagjinit.

“Autostradën e Dukagjinit, nuk të dëgjova, a është përfshirë në këtë. A keni paraparë vazhdimin e obligimeve buxhetore për Shkup?”

Përderisa ministri i Financave Bedri Hamza, iu përgjigjej çështjeve në interes për kryeministrin.

“Ne organizatave buxhetore ua dërgojmë kufijtë buxhetor dhe brenda kufijve buxhetor vendoset. Ministria e Infrastrukturës e ka buxhetin e vetë dhe brenda tij mund t’i akomodojë projektet që i ka në vijim”.

Korniza Afatmesme u miratua me dy vota kundër. Ndërkohë, është miratuar edhe koncept-dokumenti për Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme, i cili, siç tha ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, do t’i zhbllokojë paratë e privatizimit, të cilat tha se po mbahen peng nga kjo Dhomë e Veçantë. Kjo sipas tij, po ashtu lidhet me përfundimin e mandatit të EULEX-it, pasi që pas 14 qershorit aty nuk të ketë më gjykatës të misionit të BE-së. Qeveria po ashtu për komunitetin kroat që jeton në Janjevë, ndau 40 mijë euro.

Qumështarët kërkojnë ndihmën e deputetëve

Shoqata e qumështarëve përmes një letre të hapur i ka lutur deputetët e Parlamentit të Kosovës që të kërkojnë përgjegjësi nga Kryeministri Haradinaj dhe qeveria e tij për prolongimin e masës mbrojtëse prej 17%, për importin e qumështit me origjinë nga Bosnja e Hercegovina. Në letër thuhet se më 16 prill të këtij viti Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme mbrojtëse për importin e qumështit. Megjithatë, me takimin e Kryeministrit Haradinaj me homologun e tij nga Bosnja e Hercegovina gjatë Samitit Digjital ne Shkup, Haradinaj ka premtuar prolongimin e masës mbrojtëse.

Ndërkohë edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar nga shoqata hetime shtesë rreth ndikimit të importit të qumështit nga Bosnja, duke thënë se nëse Ministria në fjalë nuk do të merrte përgjigjet e duhura deri të hënën me 23 prill, kur vendimi do të hynte në fuqi, atëherë nuk do të mund të fillonte me masën mbrojtëse. Në letër shoqata ka sqaruar se shoqatat nuk janë përgjegjëse për hetime të tilla, duke e kujtuar ministrinë se vendimi është marrë pas hetimeve nga Komisioni ndërministror i krijuar pikërisht nga Ministria e Tregtisë. Por, drejtuesit e shoqatës thonë se është e qartë që duke kërkuar arsyetim për mos-aplikimin e vendimit të vet, ministria ka dal me pyetje shtesë për qumështarët. Prandaj ata i lusin përfaqësuesit e drejtpërdrejtë të popullit që të kërkojnë përgjegjësi nga Kryeministri dhe qeveria për këtë çështje që prek me mijëra fermerë e qumështarë, të punësuarit dhe familjet e tyre.

– Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI –

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne