Kosovë – Ushtarët turq rinovuan klasat e shkollës “Dëshmorët e Koshares”

Në fshatin Koshare të Komunës së Ferizajit, që ndodhet në pjesën juglindore të Kosovës, u bë përurimi i klasave dhe korridorit të katit të dytë të shkollës fillore “Dëshmorët e Koshares”, të rinovuara dhe të pajisura nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk).

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç e cila mori pjesë në ceremoninë e përurimit, u prit me një dashuri të madhe nga nxënësit e kësaj shkolle të cilët i dhuruan ambasadores vizatimet dhe shënimet e bëra nga ta.

Në një deklaratë për media me këtë rast ambasadorja Kılıç falënderoi KFOR-in Turk, komunën dhe drejtorin e shkollës për përpjekjet dhe bashkëpunimin e treguar për realizimin e këtij projekti.

Ajo uroi që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Shpresoj se ky projekt, i cili mendoj se do të përmirësojë shumë kushtet e arsimimit dhe të punës së nxënësve, mësimdhënësve dhe të drejtorit, do të kontribuojë në arsim si dhe do të kontribuojë në të ardhmen dhe edukimin tuaj”, tha ajo.

Ndërsa komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım vuri në dukje rëndësinë e arsimimit në jetën e fëmijëve dhe tha se arsimimi i tyre në kushte më të mira do të ofrojë më shumë lehtësi që ata të fitojnë njohuri. “Dashuria e fëmijëve na bëri shumë të lumtur. Ne për këtë e realizuam këtë projekt. Ne jemi të lumtur përderisa i shohim ata të lumtur. Uroj që të jetë me fat. Shpresoj se në të ardhmen do të arsimohen në kushte shumë më të mira”, tha Barım.

Drejtori i Shkollës “Dëshmorët e Koshares” Amir Rexhepi tha se kjo është një ditë e veçantë për shkollën e tyre dhe për fshatin Koshare, meqë sipas tij pas 18 vitesh në këtë shkollë realizohet projekti i parë. Ai njoftoi se sapo ka marrë detyrën e drejtorit të shkollës, ka qenë i shqetësuar me gjendjen e infrastrukturës së shkollës dhe u ka dërguar projekt-propozime disa ambasadave dhe organizatave të huaja dhe se njëra prej tyre ishte KFOR-i Turk.

“Të vetmit që na u përgjigjën ishin KFOR-i Turk të cilët pas një jave erdhën, e vizituan shkollën dhe na premtuan se projekti për katin e dytë do të realizohet. Dhe po shihet sot, projekti u realizua dhe ne jemi shumë falënderues dhe besoj që edhe në të ardhmen do të bashkëpunojmë që të krijojmë një ambient sa më të mirë për nxënësit e shkollës sonë”, tha Rexhepi.

Pas fjalimeve të mbajtura u bë përurimi i klasave të rinovuara, ku pjesëmarrësit e shikuan edhe një film prezantues ku u tregua se si është realizuar projekti.

Në kuadër të projektit të financuar nga Republika e Turqisë dhe i cili është në vlerë prej rreth 13.500 euro është bërë lyerja e mureve, rinovimi i korridorit dhe të klasave të katit të dytë të kësaj shkolle, zëvendësimi i dyerve të vjetra me ato të reja, rinovimi i dritareve si dhe furnizimi me pajisje si banka e karrige për nxënës e mësimdhënës, tabela, dollapë apo rafte për libra si dhe pajisje të tjera. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne