Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se kanë vendosur që ta zgjasin afatin për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga strukturat paralele serbe në Kosovë, deri më 23 gusht 2024.
Sipas vendimit të Ministrisë së Brendshme, afati për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë do të përfundonte më 9 gusht. Por, një vendim i tillë u mor për shkak të “kërkesave të shumta të qytetarëve” si dhe “kërkesën për zgjatje të afatit” nga Policia.
“5.588 qytetarë nga radhët e komunitetit serb kanë aplikuar për konvertimin e patentshoferëve nga ata të lëshuar nga institucionet ilegale serbe në patentshoferë zyrtar të Republikës së Kosovës. Ky proces i cili është mundësuar në të gjitha qendrat e Agjencisë së Regjistrimit Civil në Republikën e Kosovës ka vijuar pa asnjë incident të vetëm”, shkroi Sveçla.
Sveçla tha se vetëm gjatë ditës së djeshme ka pasur 273 kërkesa të qytetarëve për aplikim që të pajisen me patentëshoferë të Republikës së Kosovës.
Pas 23 gushtit, ai tha se “për të gjithë ata që nuk konvertojnë patentshoferët, do të veprohet sipas legjislacionit përkatës në fuqi”.
Ministria e Punëve të Brendshme pati vendosur që nga 9 maji i këtij viti t’u lejojë serbëve t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë në RKS me disa lehtësira, pasi nuk do t’i nënshtrohen provimit për patentë shofer.
Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjat pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës./AA