Kotzias: BE dhe Greqia nuk do të lejojnë “Shqipërinë e Madhe”

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar se Bashkimi Europian dhe Greqia nuk do të lejojnë realizimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Kotzias i ka cilësuar tentativa të tilla si “ëndrra për madhështi të rreme”, duke theksuar qëndrimin e Athinës se kufijtë në Europë janë të përcaktuar përfundimisht.

Në një intervistë për të përjavshmen “Real News”, që publikohet të dielën, Kotzias është pyetur nëse mundësia e një “Shqipërie të Madhe” shkakton shqetësim në Athinë.

“Disa ëndërrojnë madhështi të rreme. Mirëpo Bashkimi Europian dhe ne, nuk kemi për ta lejuar. Kufijtë në Europë janë përcaktuar përfundimisht. Kushdo që do të tentojë t’i ndryshojë, do të ketë pasoja të mëdha dhe serioze”, ka paralajmëruar Ministri i jashtëm grek.

Kotzias është pyetur edhe mbi zërat se Greqia është një nga vendet që punon për destabilizimin e Shqipërisë. Madje gazetari ia ka atribuar këtë pohim vetë kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Mirëpo Ministri i Jashtëm grek, ka theksuar se “nuk kam dëgjuar të thotë diçka të tillë qeveria e vendit fqinj dhe as që mund ta thoshnin”.

Kotzias ka sjellë në kujtesë faktin se siç thotë, “Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe u hap për të rruga europiane, edhe me mbështetjen e Greqisë. Madje kjo mbështetje u dha pa shkëmbime dhe kjo ishte gabim”, vëren shefi i diplomacisë greke.

Gjithsesi, Kotzias ka shfrytëzuar rastin që t’i drejtojë edhe një herë një mesazh të përsëritur Tiranës.

“Sot Shqipëria e di që rruga drejt BE-së kalon përmes reformës së sistemit gjyqësor, luftimit të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, mbrojtjen e të drejtave të minoritetit autokton grek. Kjo është rruga e stabilitetit. Kapërcimi i çdo lloj situate të paqëndrueshme në brendësi të Shqipërisë kërkon forcimin e mëtejshëm të demokracisë dhe të kulturës së kompromisit”, ka deklaruar Ministri i Jashtëm grek.

Nevojën e kompromisit dhe mirëkuptimit, Kotzias e ka shprehur edhe duke iu referuar situatës në Maqedoni.

Ndërkohë që ka reaguar edhe ndaj zërave se Berlini dhe Parisi do t’i ushtrojnë presion Athinës, me qëllim që kjo e fundit të tërhiqet nga qëndrimet e njohura në çështjen e emrit kushtetues të vendit fqinj.

“Të gjithë e dinë se ne nuk pranojmë presione dhe as tërhiqemi nga ajo që konsiderojmë të drejtë për interesat e popullit tonë dhe parimet e vlerat europiane”, ka deklaruar Kotzias.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress