Shqiperia

KQZ: mbi 45,276 vota të pavlefshme në 30 qershor

Tashmë është zyrtare, në zgjedhjet e 30 qershorit sipas KQZ-ës morën pjesë vetëm 22.97% e zgjedhësve ndërsa më shumë se kurdo herë më parë numri i votave të pavlefshme i ka kaluar 5.5%. Në këtë mënyrë KQZ konfirmon faktin se në zgjedhjet e 30 qershorit Partia Socialiste u refuzua të votohej edhe nga vetë elektorati i saj.

Në një njoftim për shtyp KQZ deklaroi mesditën e së mërkurës – 3 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve – se numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në zgjedhjet e 30 qershorit kishte qenë 812,249 zgjedhës me një përqindje 22.97 % (nga 3,536,016).

Komisioni u shpreh për here të parë edhe për numrin e votave të pavlefshme, që këtë vit nuk janë përcjellë në asnjë moment në mënyrë transparente.

Sipas KQZ-ës numri i votave të pavlefshme për kryetarë Bashkie ka qenë 45,276 (5.5%) dhe për këshillat bashkiake 49,986 (6.15%).

1148 vota të tjera për kryetarë bashkiakë “janë vota të dëmtuara apo të hedhura në kutinë e gabuar” dhe që nuk përfshihen në shifrën e raportuar nga KQZ për pavlefshmërinë.

Sikurse Exit.al analizoi në një shkrim të mëparshëm, trendi i votave të pavlefshme në zgjedhje ka qenë kryesisht te 2%. Por duke qenë se në zgjedhjet e 30 qershorit nuk merrte pjesë opozita, votat e pavlefshme kanë qenë me një trend më shumë se dyfishin e së zakonshmes.

Në këtë mënyrë konfirmohet fakti se në 30 qershor PS nuk u votua as nga socialistët që u detyruan të shkonin në zgjedhje.

Ndërkohë për sa i përket shifrave, ku KQZ keqinformoi me të dhënat paraprake dhe vonoi tejmase publikimin e të dhënave zyrtare, sërish ajo nuk mori përsipër përgjegjësitë por nënkuptoi se raportimet në media kishin qenë keqinterpretime.

Në njoftimin e saj KQZ-ës thekson ndër të tjera se “rezultati përfundimtar zyrtar do të shpallet vetëm pas përfundimit të afateve ankimore në rrugë administrative pranë KQZ apo ankimimeve të mundshme në Kolegjin Zgjedhor”./exit