Shqiperia

Krasniqi: Asnjë diplomaci nuk merr përsipër këtë krizë puro shqiptare

Politologu Afrim Krasniqi thotë në “Tonight Ilva Tare” në Ora News, se kriza aktuale shqiptare është një krizë komplet e ndryshme nga të tjera pasi ndodh përpara zgjedhjeve dhe jo pas tyre.

Kjo është arsyeja sipas tij pse nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët.

Pjesë nga biseda:

Krasniqi: Kjo krizë është ndryshe nga krizat e tjera. Ne kemi krizë jo pas zgjedhjeve, por në prag të finishit. Asnjë diplomaci nuk do të marrë përsipër një krizë që është puro shqiptare, thellësisht elektorale, jashtëzakonisht personale dhe lidhet me një kalkulim politik. Nëse dikush do të ndërhynte, do të merrte përgjegjësi dhe praktikisht do të digjej në një zjarr që dy palët po e ndezin. Nuk pres që ndërkombëtarët të luajnë rol derisa të arrijë një pikë kulmore, të rrezikojë gjithçka Shqipëria sikurse edhe po shkon.

Ndërkombëtarët kanë ndërhyrë në aspektin teknik dhe kanë paraqitur një draft tek partitë politike dhe janë munduar të krijojnë një lloj standardi në mënyrë të vazhdueshme që bazohet tek Komisioni i Venecias dhe për kriteret për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Politikisht kërkon një kompromis të madh dhe që e ka në thelb tek ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

Në një vend ku mazhoranca lutet tërë ditën më bëni mocion, para 2008-s bëhej mocioni dhe shkarkohej kryeministri edhe me votat e partisë së tij, pas 2008-s nuk shkarkohet kryeministri edhe sikur aleatët të largohet sot nga qeveria, përsëri sot nuk shkarkohet.

OraNews

OPINIONE

INTERVISTA