Kremtohet 70 vjet gjuhë ruse në Shqipëri

Në historinë e kulturës shqiptare gjuha e kultura ruse do të kishte shumë ndikim, sidomos në ardhjen në shqip të një sërë shkrimtarësh të rëndësishëm të këtij vëndi.  Dega e Gjuhës Ruse në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare kremtojnë përmes një pasditeje kulturore më 22 nëntor, 70-vjetorin e mësimdhënies së gjuhës ruse në Shqipëri. Gjuhë dhe kulturë, letërsi e arte, shkenca humane e natyrore, dije enciklopedie dhe profesionale – gjuha ruse në Shqipëri, qysh në fillimet e mësimdhënies 70 vjet më parë, u shndërrua në një burim të rëndësishëm komunikimi, informacioni, dijeje dhe formimi. Një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë katedrat e gjuhës ruse, pedagogët dhe gjuhëtarët e talentuar, metodologjia e mësimdhënies dhe botimet e specializuara në dije e disiplina të ndryshme.

Disa nga këto aspekte do t’i prezantojnë gjatë kësaj pasditeje kulturore në ligjëratat e tyre Profesori i mirënjohur i Departamentit të gjuhës ruse, Avni Xhelili, kryetari  i “Shoqatë së Gjuhësisë Shqiptare”,  Profesor  Emil Lafe si dhe inxhinieri kimist Dr. Pirro Begvasaj.

Në hollin e auditorit të BKSH-së do të ekspozohen simbolikisht tekste përfaqësuese të fillimeve të studimit të rusishtes në Shqipëri, prej nga do të nisë më tej  një rrugëtim i gjatë kulturor. Këtë rrugëtim do ta përfaqësojnë edhe recitimet e studentëve të degës ruse me pjesë të përzgjedhura prej tyre. / shqip.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne