Krerët e shtetit thyejnë protokollin, ikin të gjithë jashtë vendit

Protokolli i shtetit është thyer nga krerët e vendit, të cilët njëherësh janë jashtë shtetit, duke e lënë vendin nën drejtimin e zëvendëskryeministres Mesi. Kryeministri Edi Rama është në vizitë zyrtare në Bullgari, Presidenti Republikës, z.Meta në Francë; ndërsa kryetari Kuvendit, Ruçi është në SHBA. Po ashtu, ministri Jashtëm, z. Bushati dhe ai i Brendshëm, z.Xhafaj janë në Bruksel. Kreu i Parlamentit, Gramoz Ruçi ndodhet në një vizitë zyrtare në SHBA me ftesë të kongresmenit Robert Pittinger. Ruçi është pritur në takim nga zëvendëskryetari i nënkomisionit për Terrorizmin dhe Financimin e Paligjshëm, zoti Robert Pittenger. Pittinger përgëzoi Ruçin për detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe shprehu gatishmërinë për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. “Të dyja vendet tona ndajnë të njëjtat angazhime, të njëjtat vlera dhe pikëpamje, si dhe të njëjtat shqetësime. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Shqipëria të jetë një vend i fortë, i sigurt, që gëzon paqe e begati. SHBA-të kanë një lidhje të fuqishme me Shqipërinë dhe ne ju jemi mirënjohës dhe ju falënderojmë për miqësinë që kemi, e cila do të forcohet në vite”, tha Pittenger.

Nga ana e tij, Ruçi shprehu mirënjohje për mbështetjen e SHBA-ve, duke thënë se falë tyre, Shqipëria është sot një vend anëtar aktiv i NATO dhe partner i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit. “Vizioni për një Shqipëri të fortë dhe të besueshme mbështetet mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne u jemi gjithmonë mirënjohës SHBA-ve. Shqiptarët nuk e harrojmë kurrë mbështetjen e SHBA-ve për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Shqipëria është sot një vend anëtar aktiv i NATO-s dhe partner i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit falë mbështetjes së SHBA-ve. Reforma në drejtësi u përgatit dhe u miratua me mbështetjen e SHBA-ve. Ne do të kemi një sistem të besueshëm drejtësie. Miratimi i reformës është garanci e domosdoshme për sipërmarrjet e huaja, duke përfshirë edhe ato amerikane, për të investuar në Shqipëri”, deklaroi Ruçi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne